Rama bën bilancin 2014. “Në 2015, me ritme më të shpejta”

31/12/2014 00:00

“Ju uroj të gjithëve Vitin e Ri 2015. Sot mbyllet një vit që për Shqipërinë ishte i vështirë, plot me sfida por dhe jo me pak punë të mbara dhe shenja të mira inkurajuese për rilindjen që duam”.

Kështu e ka përkufizuar kryeministri Edi Rama vitin që po lëmë pas gjatë konferencës përmbyllëse të fundvitit për të cilën ai tha se nuk është një paradë suksesesh, por për të thënë çfarë mund të ishte bërë më mirë dhe ndryshe.

Rama shpalosi objektivat e qeverisë për 2015-n, duke paralajmëruar një sërë reformash të cilat i quajti si të favorshme për qytetarët e ndershëm.

“Mbetem i patundur në bindjen time se Shqipëria nuk ka as luksin e as shansin të ulë ritmin. Përkundrazi, ajo duhet të nxitojë më shumë sesa këtë vit. Nuk kam ndërmend të rri gjatë në këtë detyrë. Dua ta përdor pushtetin për reformat që duhet të ishin bërë në 20 vjet, për punët që duhet të ishin bërë dhe jo të përpiqem të zgjas sa më shumë qëndrimin në pushtet, duke u konsumuar e duke u bërë, larg qoftë, i ngjashëm me parardhësin tim që ua solli në majë të hundës shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Reforma më e re që do nisë në janar është ajo e sigurimeve shoqërore. “Operacioni lidhur me sigurimet shoqërore do të shpallet dhe do të nisë duke bërë publike situatën, një situatë e pabesueshme. Do vendosim ligjshmërinë edhe në këtë aspekt dhe do ta bëjmë Shqipërinë një vend ku çdo qindarkë që shpenzohet për sigurimet shoqërore të shkojë për sigurimet shoqërore”, saktësoi Rama.

Pasi falenderoi të gjithë qytetarët pagues të rregullt të energjisë elektrike, kryeministri deklaroi se gjatë muajit janar do t’i bëhet një bilanc i parë operacionit kundër vjedhësve të energjisë, rezultatet e të cilit sipas tij janë inkurajuese.

“I kërkoj një ndjesë të ndjerë dhe të sinqertë çdo qytetari që paguan dhe nuk merr furnizimin e rregullt me energji. Por kërkoj mirëkuptimin dhe durimin e secilit, sepse rindërtimi i sistemit ka nisur dhe kërkon kohën e vetë. Janë 250 milionë dollarë që do investohen në sistem vitin e ardhshëm. Po vitin e ardhshëm do të nisë dhe kalimi në teknologjinë e matjes së re, që do t’u japë fund abuzimeve si nga kompanitë dhe nga konsumatorët, sepse matja do të bëhet me sistem inteligjent”, nënvizoi Rama.

Në konferencën për shtyp që ka zgjatur 1 orë e 50 minuta, Rama bëri edhe një autokritikë për marrëdhëniet me opozitën.

“Duhet të kishim qenë më të duruar me opozitën, sidomos në Kuvend. I takon shumicës të jetë e dinjitetshme ndaj opozitës, e cila nuk e ka fshehur dot se shqetësimi i saj nuk ka qenë për reformat, por për humbjen e merituar të pushtetit, me të cilën ajo nuk arrin dot të pajtohet”, shtoi Rama.

Top Channel