Basha, urime me kritika në Facebook

31/12/2014 00:00

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të uruar shqiptarët për Vitin e Ri, por në të njëjtën kohë edhe për të kritikuar qeverinë.

“Po lëmë pas një vit të vështirë për shqiptarët. Ekonomia preku reçesionin, mijëra njerëz humbën vendet e punës, taksat dhe çmimet u rritën, ndërsa të ardhurat e shqiptarëve ranë dhe fuqia e tyre blerëse u tkurr”, ka thënë Basha.

“A jetojnë shqiptarët sot më mirë se para një viti? Përgjigjia e kësaj pyetjeje përvëlon me të vërtetën e saj, të cilën kryeministri fjalëshumë nuk e fsheh dot me llomotitjet e tij bajate e plot rrena të dala boje. Kjo nuk është Shqipëria që meritojme, vendi që ne duam. Ndaj kriza ekonomike Rama-Meta dhe pasiguria për të nesërmen duhet të ndalen”, shkruan kreu i PD në Facebook.

Më tej ai vijon duke u shprehur se një vit i ri është një mundësi e re, një shpresë e re për të bërë gjërat e duhura dhe se duhet të luftojmë të gjithë për ndryshimin e vërtetë.

“Bashkë do të rinisemi me shpresë, besim dhe kurajo drejt Shqipërisë që punon, prodhon dhe jeton më mirë. Urimet e mia më të përzemërta për Vitin e Ri. Shëndet, mbarësi dhe gëzime për çdo shqiptar! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, mbyllet statusi i Bashës.

Top Channel