Kosovë, qeveria zgjat heqjen e TVSH-së për lëndët e para

29/12/2014 00:00

Në mbledhjen e së hënës, qeveria e Kosovës i rekomandoi Kuvendit zgjatjen e periudhës kalimtare të çlirimeve nga tatimi i vlerës së shtuar, duke filluar nga data 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor të të njëjtit vit.

Konkretisht, nga TVSH-ja janë çliruar lëndët e para, makineritë bujqësore, sistemet e ujitjes së tokave bujqësore, furnizimet e financuara nga donatorët në mbështetje të projekteve humanitare, rindërtuese dhe integrimeve evropiane, si dhe furnizimet e bëra nga organizatat ndërkombëtare dhe ndërqeveritare.

Gjithashtu, qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin dhe krijimin e së drejtës për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve të ngrohjes nga ndërmarrja publike “Termokos” dhe pronat nga ndërtimi i linjës energjetike 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në funksion të realizimit të këtij projekti, i konsideruar i një rëndësie strategjike, është miratuar edhe vendimi për shpronësime në segmentin e tretë të ndërtimit të linjës energjitike, konkretisht në zonat kadastrale të komunave Deçan, Junik dhe Gjakovë.

Në të njëjtën mbledhje, kabineti qeveritar i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të themelojë Komisionin Parlamentar për Diasporën dhe Mërgatën. Kjo duhet të bëhet me qëllim të promovimit dhe avancimit të të drejtave politike dhe sociale të diasporës.

Duke shprehur bindjen se kjo do të jetë mbledhja e fundit për këtë vit e kabinetit qeveritar, kryeministri Isa Mustafa ka uruar anëtarët e kabinetit qeveritar për një vit të mbarë dhe të suksesshëm në punën dhe angazhimet e tyre.

Top Channel