Kosovë, krerët e shtetit urojnë Krishtlindjet

24/12/2014 00:00

Kryepeshkopi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, përmes një video-mesazhi ka uruar të gjithë besimtarët katolikë në Kosovë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Imzot Dodë Gjergji tha se Kërshëndellat janë dhurata më e madhe për besimtarët katolikë. Ndërkohë, mesazhe urimi kanë dërguar edhe udhëheqësit e institucioneve të vendit.

“Me rastin e ditës së Krishtlindjes, që simbolizon vlerat më të larta të solidaritetit, harmonisë, dashurisë dhe paqes ndërmjet njerëzve, ju shpreh urimet e mia juve dhe gjithë besimtarëve të krishterë. Këtë festë le ta kalojmë me gëzim e harmoni në familjet tona, me të mirat që na i ka dhuruar Zoti. Krishtlindjet sot e gjejnë vendin tonë, Republikën e Kosovës, me një numër të madh arritjesh në të gjitha fushat, me përkushtimin për rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë, pa dallim etnie e besimi, për zhvillim ekonomik të vendit dhe me synime të qarta për integrime euroatlantike”, thuhet në urimin e presidentes Jahjaga.

Ndërsa në mesazhin e kryeministrit Isa Mustafa, ndër të tjera thuhet: “Sot në ditën e Krishtlindjes, ju lutem pranoni urimet e mia më të sinqerta me shpresën se kjo festë do të sjellë begati. Sigurisht se Krishtlindjet janë festa që sjell ndjenjën e bashkësisë, harmonisë dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit dhe të tolerancës në shërbim të paqes. Në këtë ditë duhet të kujtojmë se toleranca ndërfetare është traditë shekullore e jona dhe duhet ta ruajmë me kujdes dhe të krenohemi me të”.

Edhe kryparlamentari Kadri Veseli ka bërë urimet e tij. “Kam kënaqësinë që në këtë ditë të shenjtë, në emrin tim dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës t’ju uroj juve dhe të gjithë besimtarëve katolikë ditën e Krishtlindjeve. Kjo ditë e madhe simbolizon lidhjen e fuqishme të njeriut me Zotin, shpresat më sublime të njeriut dhe besimin në fuqinë e vlerave më të larta njerëzore siç është liria. Për shumë vjet gëzuar Kërshëndellat!”, thuhet në mesazhin e urimit.

Ndërsa zëvendës kryeministri Hashim Thaçi është shprehur: “Festa e Krishtlindjeve është ngjarje e rëndësishme për tërë komunitetin e krishterë kudo në botë dhe na bën që të kujtojmë me respekt rëndësinë e vlerave universale shpirtërore, humane dhe kulturore mbi dymijëvjeçare. Urime për shumë vjet!”.

Mesazhe urimi kanë përcjellë edhe përfaqësues të partive politike e të institucioneve të tjera në vend. Ndërkohë, mesha kryesore e Krishtlindjes do të mbahet në katedralen “Nëna Terezë” të Prishtinës dhe do të udhëhiqet nga kryepeshkopi Imzot Dodë Gjergji.

Top Channel