Kosovë, miratohet projektligji kundër kosovarëve në Siri

19/12/2014 00:00

Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile projektligjit, që parandalon pjesëmarrjen e shtetasve kosovarë në konfliket e huaja. Nëse ky projektligj miratohet nga Kuvendi, atëherë kosovarët që marrin pjesë në luftra të huaja mund të dënohen nga 5 deri në 15 vjet burg.

Gjatë shpalosjes së projektligjit para kabinetit qeveritar, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka thënë se nevoja për një ligj të tillë ka lindur pas fenomenit të vajtjes së të rinjve kosovarë në luftën civile në Siri.

“Kohët e fundit është vërejtur një trend në rritje i individëve, të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë dhe me qëllim realizimin e sferave të tyre të interesit, të bashkëngjiten në formë të organizuar apo të pavarur, në kryengritje apo konflikte të ndryshme jashtë vendit, për shuma të caktuara parash apo privilegje të tjera. Të njëjtët persona, pas kalimit të një kohe të caktuar në vendet e krizës, sërish kthehen në vend dhe bëhen bartës të aktiviteteve propagandistike të nxitjes së të tjerëve”, tha Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve, që bën pjesë në pakon e ligjeve për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

“Përmes këtij projektligji për përgjimin, ndër të tjera do të rregullohen në mënyrë specifike procedurat për përpunimin e të dhënave, që vijnë nga operatorët e rrjeteve dhe ofruesit e shërbimeve, në mënyrë që të sigurojmë të dhënat tona, e që do të jenë në dispozicion të plotë të hetimit, zbulimit dhe ndjekjes së krimeve të rënda, përmes përgjimit të ligjshëm të komunikimit elektronik”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Me propozim të Ministrisë së Financave, kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e mbi 33 milionë eurove për mbulimin e minusit në pagat e dhjetorit, për punëtorët e sektorit publik dhe pensionistët.

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe ndarja buxhetore prej 1.5 milionë euro, për pagesën e detyrimeve që qeveria kishte marrë për importin e energjisë elektrike, gjatë kohës së realizimit të projektit të koogjenerimit për ngrohjen e kryeqytetit.

Pas shpenzimeve të miratuara, Qeveria mori vendim edhe për marrjen e dividentëve prej 5 milionë euro nga Post-Telekomi i Kosovës. Qeveria po ashtu ka ndarë mbi 181 mijë euro për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Komunën e Graçanicës, pasi kreu  i kësaj komune është bërë zëvendëskryeministër.

Top Channel