Kosovë, legjislatura e re diskuton buxhetin 2015

19/12/2014 00:00

Komisioni parlamentar për buxhetin dhe financat në Kosovë shqyrtoi këtë të premte, në mbledhjen e tij të parë për këtë legjislaturë, projektligjin për buxhetin e vitit 2015.

Kryetari Naser Osmani i njoftoi anëtarët e komisionit se për pasojë të afateve të shkurtra kohore është e nevojshme që ky projektligj të shqyrtohet si çështje urgjente.

Në mënyrë që projektligji të miratohet brenda vitit, komisioni njëzëri vendosi që shqyrtimi i tij të bëhet me proçedurë të përshpejtuar.

Në vazhdim të mbledhjes, ministri i Financave, Abdullah Hoti para anëtarëve të komisionit shpalosi hollësi për projektligjin.

Ai tha se projektbuxheti i proçeduar në Kuvend, për shkak të kohës shkurtër në dispozicion është i njëjti me atë që është proçeduar para datës 31 tetor nga qeveria e kaluar.

Sipas komunikatës së dërguar nga kryesia e Kuvendit, ministri i Financave theksoi gjatë mbledhjes se, bazuar në vlerësimet makrofiskale për vitin 2015 janë parashikuar 1 miliard e 576 milionë euro të ardhura, pjesa më e madhe e të cilave do të vijë nga doganat.

Ndërsa kufiri i shpenzimeve, sipas tij, është 1 miliard e 682 milionë euro, me rritje prej 67 milionë euro vetëm për paga, e cila reflekton rritjen që ka ndodhur në vitin 2014.

Ministri bëri të ditur se në vitin e ardhshëm do të fillojë edhe reforma në fushën e sigurimit shëndetësor, për të cilën janë ndarë ndarë 10 milionë euro.

Pas diskutimeve dhe sqarimeve të ministrit, komisioni e përkrahu projektligjin dhe i rekomandoi Kuvendit miratimin e tij në parim.

Top Channel