Prishtinë, gjyqi për pasaportat biometrike, 12 vite burg për Natali Veliajn

18/12/2014 00:00

Në Prishtinë u shpall aktgjykimi për të akuzuarit e rastit të rryshfetit për prodhimin e pasaportave biometrike.

Natali Veliaj është dënuar me 12 vjet burg e 25 mijë euro gjobë, bashkëpuntorët e saj Fisnik Blakaj me 11 vjet burg e 20 mijë euro gjobë, Betim Blakaj 5 vjet burg 10 mijë euro gjobë. Sefedin Shala, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykatë, shpallet fajtor për pranim të mallrave të vjedhur sepse ai është pronar i Rron ING dhe kishte pranuar 200 mijë euro nga kompania e Natali Veliajt. Ai e dinte se paratë kishin prejardhje nga krimi dhe kështu ka kryer veprën penale të pranimit të mallrave të vjedhur, transmeton koha.net.

Gjykata për rastin e pasaportave ka dënuar edhe Ergyn Doganin me 8 vjet e 20 mijë euro gjobë, Imer Fazlinë me 5 vjet dhe 8 mijë euro gjobë, Nazim Thaçin me 4 vjet e 8 mijë euro gjobë, Jakup Blakqorin është dënuar me një vit dhe 5 mijë euro gjobë, Sefedin Shala me 1 vit e 5 mijë euro gjobë. Të dënuarit duhet t’i paguajnë kompensim palës së dëmtuar, që është Ministria e Puneve të Brendshme me vlerën prej 1 milion e 420 mijë euro, para’ që ishin vjedhur nga të dënuarit.

Atyre do t’iu konfiskohet edhe pasuria e paluajtshme si dhe disa banesa që kanë blerë me paratë e vjedhura. Kompensimi duhet të paguhet 60 ditë pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. Palët kanë të drejtën e ankesës në këtë aktgjykim.

Top Channel