Jahjaga mban fjalimin në Kuvend, kritika të ashpra partive

18/12/2014 00:00

Presidentja e Kosovës, Atiefete Jahjaga ka mbajtur fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, pa praninë e opozitës. Jahjaga gjatë fjalimit të saj ka qenë mjaft e ashpër në qëndrimin ndaj krizës politike 6-mujore.

Sipas presidentes, politikanët e kanë mbajtur vendin peng për shkak të interesave të ngushta. Ajo ka renditur para deputetëve sfidat e vitit dhe i ka ftuar që të adresojnë me urgjencë zgjidhjen e tyre.

“Skenat e të rinjve të papunë, që bredhin shesheve të qyteteve tona, qytete këto që gradualisht rrezikojnë të shndërrohen në qytete-fantazmë, apo skenat e radhëve të gjata për të blerë bileta njëdrejtimëshe drejt adresave fiktive dhe të paqena të shpëtimit, duhet të na e trazojnë shpirtin, të na lënë pa gjumë. Është përgjegjësi e jona të përballemi dhe të kërkojmë zgjidhje për nevojat e qytetarëve tanë. Ne bartim përgjegjësi për ëndrrat e parealizuara dhe zhgënjimin e qytetarëve me shtetin e Kosovës”, deklaroi Jahjaga.

Pasi kritikave për ndërhyrjen në institucionet e pavarura të drejtësisë dhe të arsimit, presidentja u kujtoi deputetëve edhe zotimin për themelimin e Gjykatës Speciale që do të merret me krimet e luftës.

“Krijimi i Gjykatës Speciale reflekton përcaktimin tonë për një proces të pavarur dhe të paanshëm, që do të shqyrtojë me kredibilitet këto akuza një herë e përgjithmonë. Kjo gjykatë do të merret me raste individuale dhe assesi nuk do të jetë një denoncim i betejës tonë të përbashkët dhe të shenjtë për liri dhe pavarësi”, tha Jahjaga.

Fjalimi vjetor i presidentes Jahjaga u bojkotua nga partitë opozitare, me arsyen se e para e vendit i shërbeu Partisë Demokratike të Kosovës gjatë krizës politike gjashtëmujore në vend.

Presidentja e Kosovës në bazë të Kushtetutës çdo vit raporton para deputetëve për punët e bëra, ndërsa pas fjalimeve të saj nuk ka debat parlamentar.

Top Channel