Dëshpërimi i madh i zotit Qose…

18/12/2014 00:00

Ndue Dedaj – “A e dinte Hashim Thaçi se kujt po ia dorëzonte Kryeministrinë e Kosovës?” lëshon bubullimën (hamletiane) zoti Qose. Kujt, pra? Për ty që e ndjek pa ndonjë anësi a paragjykim politikën e Kosovës, qeverinë e merr për ta drejtuar një politikan i karrierës, kryetari i njërës nga dy partitë e mëdha, LDK-së.

Një njeri që ka qenë për disa vite kryetar i komunës së kryeqytetit, Prishtinës, pse jo, dhe i zgjedhuri vetëm pak kohë më parë në krye të Kuvendit të Kosovës, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për arsye procedurale. Shkurt, një qeveritar normal, i rrethanave që u krijuan. Kurse për zotin Qose nuk del të jetë kështu, përkundrazi, Isa Mustafa qenka një “tmerr” që na e bëka akademikun të tmerrohet aq shumë dhe të sokëllijë aq fort kundër tij, për shkak të “jetëshkrimit antikombëtar” si “ish-zyrtar i Millosheviçit” dhe “njëri prej vrasësve të protestuesve shqiptarë që po kërkonin Kosovën republikë”. (Vetëm gjykata mund ta provojë një akuzë tillë, e Kosovës nuk i kanë munguar përballjet deri në Hagë, por ka dalë e fituar!) Qose e bën këtë si shkrimtar, siç pohon ai, që ka vendosur t’i thotë deri në fund të vërtetën dhe vetëm të vërtetën popullit. Mirëpo populli e ka deleguar vullnetin e vet te deputetët që ka zgjedhur, që këta të formojnë qeverinë, kështu që përbetimi për të vërtetën nuk të bind se mund të jetë në anën e Zotit Qose, qoftë dhe thjesht nga ana institucionale e çështjes.

Pas një pamundësie, prej gjashtë muajsh, për të krijuar institucionet e Kosovës, arritja më në fund e marrëveshjes mes dy partive kryesore, PDK e LDK, për një koalicion të madh është një zgjidhje, mirëpo pikërisht dalja në krye të kësaj qeverie e zotit Isa Mustafa, e tmerron pa fund Rexhep Qosen, patriarkun e letrave, e tmerron aq shumë sa nuk mungon ta artikulojë këtë fjalë plot 14 herë në “përshëndetjen” e tij të pazakontë në adresë të qeverisë së re, më saktë të kreut të saj. Habia jote e parë, pasi mund të habitesh nja 14 herë radhazi, është se qysh kur zoti Mustafa u zgjodh në krye të LDK-së, pritej që ai një ditë të ishte Kryeministër i vendit, ndaj si është e mundur që këtë alarm, akademiku buzëhollë nuk e ka dhënë qysh atëbotë, që të parandalohej kjo kinse zezonë qeveritare, njerëzit ta njihnin fill e për pe biografinë politike të “kompromentuar” të Isa Mustafës dhe ta ndalonin atë të ngjitej? Nuk kemi gjetur në asnjë kumtim tjetër aq tmerr sa në artikullin e zotit Qose me titullin shokues “U tmerrova”. U tmerrova për këtë e për atë… thotë akademiku hijerëndë, si të ketë prekur fundin apokaliptik të Kosovës së tij dhe tonë. Nuk mund të mos tronditesh nga një gjuhë e tillë gjithë shpuzë, nga gjamët qosiane, me një dallim nga tradita shqiptare ku gjamët janë një përshpirtje plot dhembshuri për të vdekurin, kurse këto të akademikut, gjithë urrejtje për një Kryeministër të dheut të tij. Mirëpo duke e ditur se kjo është gjuha e Qoses jo vetëm këtë herë e jo veç kundër Zotit Mustafa, ti nuk tronditesh, pasi thua kështu e ka zakon akademiku, asgjë e keqe nuk ka për t’i ndodhur Kosovës dhe qeverisë së saj, e keqja e saj ka marrë fund njëherë e mirë. Por si Zotin i bëhet që nuk hoqëm dorë nga mallkimi i biografisë, nga bubrrimi nëpër skutat e së shkuarës sa herë dikush don të bëjë përpara? Isa Mustafës nuk pritej t’i hapej tani “dosja”, ai është votuar plot herë politikisht e shtetërisht në Kosovën demokratike, apo me sulme të tilla nuk duam të lëmë asnjë politikan kosovar të panjollosur në të kaluarën e afërt apo pak më të largët?

Duke parë se shumë gjëra në këtë politikën tonë janë ende të brishta. ti dhe mund të merrje rrugën deri në Prishtinë, të trokisje në derën e Rexhep Qoses, si në atë të një bacalaku të kombit, për ta pyetur se cila do të ishte këshilla e tij e urtë për punët e shqiptarisë e të politikës, në epokën e integrimit e globalizimit, të “Shqipërisë së Madhe” etj., por druan se të paktën për politikën, zoti Qose do të flasë pesëdhjetë me pesëdhjetë, pasi ç’të jetë nga ana e Rugovës e Berishës për të është gjithherë e papranueshme. Doemos që nuk ndjehesh mirë nga kjo, nuk do ta dëshiroje as këtë reagim tëndin në shtyp, por para një tmerrimi mediatik të akademikut nuk mund të mos e thuash një fjalë. Se, pos të tjerash, çfarë do të thoshin në Serbi, kur të dëgjonin vajin e qyqes në gojën e njërit nga njerëzve më të njohur të botës shqiptare? “Shqiptarët nuk bëjnë dot shtet! A nuk po e thotë këtë me plot gojën vetë “Baca” kosovar? A nuk po lëshon ai britmën (“Kuku Kosovë! Çka të ka ndodhur!”) Dhe ti mendon si do të përcillnin një qeveri të radhës në Kosovë Ukshin Hoti e Arbër Xhaferri? Kurrsesi me këtë gjuhë! Pavarësisht pritshmërive, pavarësisht defekteve që kanë koalicione të tilla, fryrjes së kabinetit qeveritar të sapokrijuar në Prishtinë, me 21 ministra e 50 zëvendësministra etj.

Tek lexon enumeracionin trishtues qosean të fundjavës së kaluar, se pse të vjen në mend Fishta, me vjershën “Nji gjamë dispirimit”. Natyrisht nuk mund ta mësojmë ne profesorin e letërsisë, se cilat janë mjetet e ligjërimit të një pamfleti, për çka ai ka shkruar libra të vlefshëm. Ama disprimi i tij është aq i thellë sa trishton e shqiptarët nuk ka pse të zhyten më në trishtim, ata e kanë kaluar kalvarin e vdekjes, qeveritë janë vetëm njëra nga punët e tyre në demokraci, e nëse nuk e bënë sa do të duhej mirë qeverinë këtë herë, do ta përkryejnë nesër, por pa gjamët e askujt. Nuk është perandori Thaçi që po bën herezinë e madhe, duke ia dorëzuar qeverinë një “mëkatari” të Kosovës, por thjesht Kryeministri në detyrë që, në përmbushje të vullnetit të sovranit, përcjell portofolin qeverisës tek i mandatuari për këtë punë. Mund të ishte vërtet Haradinaj, Krasniqi, apo ndonjë tjetër, që përmend Qosja, që ta kryesonte qeverinë, por për gjashtë muaj kjo nuk mundi të ndodhte, ndodhi tjetra.

Kësisoj asgjë e kuku(j)shme nuk i ka ndodhur Kosovës, ani se qeveri më të mira mund e duhet të krijohen, politikë më e mirë mund e duhet të bëhet në Prishtinë, jo sipas devizës “të bashkohemi ne, që ta heqim qafe atë”, se kësaj nuk iu ditka, vetëm ai që ka numrat “i heqka qafe” të tjerët, si me thënë hjekësit e tij…

Top Channel