Basha: Dekriminalizimi është domosdoshmëri, jo bamirësi për opozitën

18/12/2014 00:00

Ndërsa negociatori Fleckenstein ka mbërritur në Tiranë për të takuar palët për gjetjen e një kompromisi, kryetari i PD-së Basha ishte në Bruksel, në takimin e PPE-së. Ai tha se do të ketë bisedime me të dy eurodeputetët që po negociojnë për marrëveshjen. Për Bashën, dekriminalizimi i Parlamentit është domosdoshmëri dhe se pritet përgjigjja e shumicës.

TCH: Z. Basha, me se e kushtëzoni marrëveshjen, që do t’i mundësonte opozitës të hynte në Kuvend, çfarë do t’i paraqisni zotit Fleckenstein në Tiranë?

Lulzim Basha, lider i opozitës: Dy janë problemet kryesore, që kanë çuar në ndërprerjen e jetës parlamentare dhe në asgjësimin e deritanishëm të praktikës normale parlamentare. E para ka të bëjë me përdorimin në mënyrë të paprecedent, të një grupi të strukturuar deputetësh me të kaluar kriminale, të tipit të krimit të organizuar, për të dhunuar, kërcënuar dhe shuar fjalën e lirë të opozitës në Kuvend. E dyta ka të bëjë me shkeljen flagrante të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga shumica, duke reduktuar hapësirën institucionale dhe duke eliminuar mundësinë e mbikëqyrjes parlamentare nga Parlamenti në tërësi dhe opozita në veçanti.

TCH: A është në gjendje PD të bëjë sugjerimet e duhura ligjore për dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve të tjera publike, siç e parashikoi dhe deklarata e PE një ditë më parë?

Lulzim Basha: Kryesore dhe vendimtare është të ketë vullnet politik. Ne e kemi këtë vullnet. Ne besojmë se dekriminalizimi i Parlamentit nuk është një bamirësi ndaj opozitës, por domosdoshmëri për Shqipërinë, për qytetarët shqiptarë, edhe për shumicën, për mbarëvajtjen e jetës parlamentare. Nëse ka vullnet politik, e kësaj pyetjeje opozita i është përgjigjur me kohë ‘Po’, pra pritet përgjigjja e shumicës; e nëse do jetë e tillë, do jemi në gjendje padyshim, që me kapacitetet tona dhe ndihmën e institutioneve të Bashkimit Europian, të adoptojmë normat dhe praktikat më të mira për dekriminalizimin e Kuvendit.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel