Ambasadorët-Kosovës: Masa kundër emigracionit

17/12/2014 00:00

Ambasadorët e vendeve evropiane në Kosovë premtojnë mbështetje të projekteve për krijimin e vendeve të reja të punës, në mënyrë që qytetarët të mos e braktisin vendin.

Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës përveç kërkesës për të mos emigruar sepse nuk pranohen kërkesat për azil, duket se nuk ka çfarë të ofrojë.

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Austrisë u pritën të mërkurën nga ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni. Diplomatët theksuan se kërkesat e kosovarëve për azil nuk pranohen pasi Kosova konsiderohet si vend i sigurt.

“Kosovarët që vijnë tek ne kanë shumë pak gjasa për të fituar të drejtën azilit. Në përgjithësi 100% të kërkesave të kosovarëve refuzohen. E dimë dhe e marrim parasysh gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë, mirëpo Gjermania, sikurse vendet e tjera të BE-së, do të mbështesin përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të hapur vende të reja të pune, për të pasur një mirëqënie më të mirë, në mënyrë që kosovarët të mos e braktisin vendin”, deklaroi ambasadorja gjermane Angelika Vest.

“Kjo është një çështje që vështirëson dhe pengon procesin e liberalizimit të vizave. Të vetmit që përfitojnë nga kjo situatë janë krimi i organizuar dhe bandat e trafikantëve të cilët me joshje të rreme shfrytëzojnë njerëzit”, tha Johan Briger, ambasador i Austrisë.

Shqetësimin për lëvizjen masive të kosovarëve e paraqiti edhe Brukseli zyrtar. Pas një takimi me ministrin e Integrimit Europian Bekim Collaku, sekretari i Shtetit për Azilin dhe Emigracionin të Belgjikës, Theo Francken kërkoi nga Kosova që t’i kushtojë rëndësi faktorëve që nxisin qytetarët e saj të marrin rrugën e azilit.

Ai theksoi se Kosova është në listën belge të vendeve të sigurta, që do të thotë se shanset janë shumë të ulëta se kërkesat për azil do të miratohen.

Top Channel