Kreu i Prishtinës, Ahmeti: Ja analizat e naftës që përdorej për ngrohjen e shkollave

16/12/2014 00:00

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ashtu siç paralajmëroi të premten, ka publikuar dokumentet e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, lidhur me cilësinë e naftës së përdorur në shkollat e kryeqytetit. Ndonëse për një gjë të tillë, ai është paralajmëruar nga Prokuroria se mund të ndiqet penalisht.

Në këto dokumente të Prokurorisë shihet se, prezenca e squfurit në derivatet e përdorura për ngrohje arrin deri në 834 premila, ndërsa kufiri ligjor në BE është 10 ppm.

Më 18 mars të këtij viti, Shpend Ahmeti mori vendimin për ndërprerjen e kontratës me kompaninë “HIB Petrol”, e cila furnizonte shkollat e Prishtinës me derivate, pas dyshimit për prezencë të lartë të squfurit. Komuna e Prishtinës kishte paditur kompaninë në fjalë në Prokurori.

Pas ndërprerjes së kontratës, kompania “HIB” është ankuar te Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Vendimin për publikimin e këtyre analizave, kryetari Ahmeti e mori pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit vendosi të premten të anulojë vendimin e komunës, për ta përjashtuar kompaninë “HIB Petrol” nga konkurrenca, për furnizimin me naftë të shkollave të Prishtinës.

Shpend Ahmeti tha se do të publikojë edhe analiza të tjera lidhur me këtë rast.

“Unë nuk do të nënshkruaj kurrfarë kontrate me kompaninë, e cila nuk na dha naftë, por lëndë të rrezikshme. Të paktën jo, deri sa Prokuroria të japë deklaratën e saj mbi këtë rast skandaloz. Duhet të deklarohemi një herë e përgjithmonë që jemi për të luftuar krimin e të keqen, dhe se nuk po shtiremi se kemi shtet e kemi institucione”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.

Ai bëri të ditur se kopjet e këtyre analizave do t’ia dërgojë edhe ndërkombëtarëve, që shërbejnë në Kosovë.

“Bashkësia ndërkombëtare, përfaqësuesit e Ambasadave, të cilëve do t’iu dërgoj të njëjtat materiale, le të kuptojnë se çfarë po mbështesin dhe se për çfarë kanë shpenzuar qindra milionë euro, gjoja në emër të luftës kundër krimit”, ka shkruar Ahmeti.

Top Channel