Kosovë, emigracioni ilegal po rritet. Gnocchi: S’ka shpresë për azilantët

16/12/2014 00:00

Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, në kontekst të Bashkëpunimit Lokal për “Schengen”-in, janë takuar për të diskutuar çështjen e shtimit të numrit të qytetarëve kosovarë, që po largohen nga Kosova muajt e fundit.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Shaban Guda, shefi i Policisë Kufitare të Kosovës, i cili foli për gjendjen aktuale të emigrimit ilegal dhe për masat parandaluese, që po ndërmerr Qeveria e Kosovës.

Me këtë rast, Thomas Gnocchi, ushtrues detyre i Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se ka shumë pak gjasa, që aplikimet për azil të pranohen.

“Çdo vendim për dhënien ose jo të azilit është individual, mirëpo duhet përmendur se shumica e aplikimeve për azil nga Kosova refuzohen dhe qytetarët kthehen në atdhe. Kosovarët, përfshirë këtu romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, rrezikojnë që të bëjnë shpenzime të konsiderueshme vetëm për t’u kthyer sërish në Kosovë, por mbesin edhe më të varfër pas kthimit”, ka thënë Gnocchi.

Sipas tij, qeveria e re duhet të merret edhe me faktorët nxitës për këtë emigrim. Njerëzit kanë nevojë për punë, që të kenë të ardhme. Në veçanti ata persona, që ndihen të lënë mënjanë dhe të diskriminuar, apo grupet minoritare, kanë nevojë për përkrahjen e Qeverisë. Kosova duhet të rrisë përpjekjet e saj për integrimin dhe riintegrimin e tyre socio-ekonomik.

Ndërkohë që, ikjet janë dokumentuar së fundi edhe në stacionin e autobusëve në Prishtinë. Para kamerave, qytetarët që largohen nuk flasin, por pas mbylljes së mikrofonëve thonë se po largohen për një jetë më të mirë.

Top Channel