Zhduket dosja për korrupsion në radhët e EULEX

10/12/2014 00:00

Avokatja e Popullit e Bashkimit Europian, Emily O’Reilly deklaroi se
raporti fillestar mbi korrupsionin në radhët e misionit EULEX në Kosovë
është zhdukur.

Dy vite më parë u denoncuan në publik disa parregullsi ku akuzoheshin radhët e misionit për sundimin e ligjit të BE-së në Prishtinë për korrupsion. Në raport thuhej se kishte të dhëna që një prokuror i EULEX-it kishte mbyllur dosjen ndaj një zyrtari kosovar në këmbim të një shume parash.

Skandali shpërtheu kur prokurorja britanike e misionit, Maria Bamieh deklaroi se kishte regjistruar një bisedë telefonike të një zyrtari kosovar të akuzuar për korrupsion ku thuhej se ai kishte paguajtur dy punonjës të EULEX për të hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.

Kreu i ri i EULEX, Gabriele Meucci premtoi se pretendimet e prokurores britanike do të hetohen dhe verifikohen me seriozitet.

Megjithatë, avokatja e Bashkimin Europian, Emily O’Reilly nisi një hetim për të parë nëse EULEX dhe shërbimi diplomatik i BE-së kishin hetuar parregullsitë e gjetura në mision para zotimit të shefit të ri të EULEX, Meucci.

Në raportin e publikuar më 4 dhjetor ajo thotë se dyshimet dhe parregullsitë e vërejtura tek EULEX u publikuan në një raport të 2012-ës nga një prokuror i misionit, por sot as EULEX dhe as shërbimi diplomatik i BE-së nuk janë në zotërim të këtij raporti.

Në muajin nëntor, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini caktoi caktoi ekspertin francez, Jean Paul Jacque për të hetuar pretendimet. Ky i fundit do t’i paraqesë një raport Parlamentit Europian në janar të vitit të ardhshëm për gjetjet e bëra në hetimin e tij.

Top Channel