“Superqeveria” e Kosovës, 19 ministri, 50 zëvendësministra

10/12/2014 00:00

Kabineti i ri qeveritar i Kosovës i udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa do të jetë i ngarkuar me shumë zëvendësministra.

Marrëveshja e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së parasheh që secila nga 19 ministritë të ketë së paku nga një zëvendësministër të PDK-së dhe nga një të LDK-së. Në 19 ministri, PDK dhe LDK do të dërgojnë 38 zëvendësministra.

Liderët e koalicionit PDK-LDK, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në marrëveshjen e re me Listën Serbe po ashtu u kanë dhënë atyre gjashtë zëvendësministra, të cilët do të emërohen si zëvendësministra të tretë nëpër disa ministri.

Po ashtu, edhe minoriteti turk, boshnjak, romë, shkali, egjiptjan do të kenë zëvendësministra në disa ministri dhe kështu numri i përgjithshëm i zëvendësministrave do të arrijë në 50.

Kabineti i ri qeveritar i kryeministrit Isa Mustafa gjatë kësaj jave do të bëjë pranim dorëzimin e detyrave me ministrat e kabinetit të kaluar të udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Pasi të përfundojë ky tranzicion me marrjen e detyrës së kryeministrit të ri që është caktuar dita e premte, atëherë në javën e ardhshme pritet edhe të emërohen zëvendësministrat.

Formimi i Qeverisë së re të Kosovës ka ndikuar edhe në ndërrimin e disa emrave të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Kjo pasi Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon që deputetët njëkohësisht të mbajnë edhe poste ministrore.

Menjëherë pas votimit të qeverisë së re, ministrat e zgjedhur kanë paraqitur dorëzimin e mandatit të deputetit, ndërsa ata do të zëvendësohen nga kandidatët për deputetë që kanë mbetur në listën e pritjes në listat përkatëse të partive parlamentare.

Top Channel