Nishani përshëndet qeverinë e Kosovës: Shembull i shkëlqyer maturie dhe përgjegjësie

10/12/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përmes një deklarate për shtyp, ka përshëndetur krijimin e Qeverisë së re të koalicionit të Kosovës dhe e konsideron atë një shembull të shkëlqyer maturie dhe përgjegjësie, jo vetëm për të ardhmen dhe adresimin e sfidave të vendit, por me impakt shumë të rëndësishëm edhe për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Nishani ka përshëndetur gjithashtu rolin e luajtur nga Presidentja Atifete Jahjaga, duke i uruar suksese dhe punë të mbarë Qeverisë së re të Kosovës, Parlamentit dhe të gjitha institucioneve të Kosovës, si dhe ka shprehur besimin se vijimi i negociatave me Serbinë do të kalojë në një fazë më intensive në interesin dhe pritshmërinë e procesit të integrimit evropian të të gjithë rajonit.

Kuvendi i Kosovës votoi të martën, në një seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re, pasi koalicioni PDK dhe LDK arriti një marrëveshje të re me “Listën serbe”, ku me 73 vota pro dhe 38 kundër, Isa Mustafa u zgjodh kryeministër i ri i Kosovës, pavarësisht se gjashtë deputetë të partisë së tij votuan kundër.

Top Channel