BE ndërmjetes mes Ramës dhe Bashës për rikthimin e opozitës në Kuvend

10/12/2014 00:00

Arritja e një kompromisi me përfaqësinë e shumicës qeverisëse për të kthyer opozitën në Kuvend ishte në thelb të takimeve të ditës së dytë në Parlamentin Europian, me presidentin e grupimit të majtë, Pitella, e sidomos me raportuesin për Shqipërinë, Fleckenstein, dhe ndjekësraportuesin në PPE, Kukan, të cilët ishin kontaktuar përgjatë këtyre dy muajve nga eksponentë të PD.

“Mesazhi kryesor është se ne duam të mbështesim punën e Tiranës për t’ju afruar më shumë Bashkimit Europian. Për këtë, mendoj se është e rëndësishme që opozita të kthehet për të punuar në Parlament. Ka disa propozime, të cilat do t’i diskutoj me kolegë të tjerë sonte me shpresën për të parë PD sërish brenda Parlamentit në fund të këtij muaji”, është shprehur Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë.

Një platformë prej 5 pikash mësohet të jetë propozuar në këtë takim, e cila, megjithëse e ndryshme nga përmbledhja në letër e 5 kërkesave të paraqitura nga opozita deri më tani, përfshin shqetësimin e saj për “dekriminalizimin e Parlamentit”.

Burime konfidenciale rrëfejnë për Top Channel se “Rama u pajtua me gjithçka që nuk bie ndesh me kushtetutën e vendit”. Pika e parë e draftit, të konsultuar nga Top Channel, kërkon kthimin e opozitës në Kuvend deri në seancën e fundit plenare të këtij viti. Më pas shpreh nevojën për një projektligj mbi ‘dekriminalizimin e Kuvendit’ brenda Janarit, i cili duhet miratuar me konsensus nga palët në 6 mujorin e parë të 2015. Së fundi, Parlamenti Europian luan rol mediator për negociatat mes palëve dhe ftohet Komisioni për dhënien e ekspertizës për praktikën më të mirë dhe për të monitoruar zbatimin.

Por, ndërsa Partia Socialiste konfirmoi mandatimin e socialdemokratit gjerman, Flekenstein si mediator në negociatat me të djathtët, PPE pret ende një përgjigje nga Partia Demokratike për ndërmjetësimin nga Eduard Kukan. Nëse kjo konfirmohet nga kreu i PPE-së, Weber, paraditen e të mërkurës, atëherë Parlamenti Europian do të publikojë zyrtarisht qëndrimin për ndërmjetësimin mes palëve në Tiranë me bekimin e Presidentit Shultz dhe të krerëve të dy grupimeve kryesore politike (Weber e Pitella). Në rast të kundërt, përfaqësuesit e përfshirë të legjislativit europian shprehen se “nuk do të merren më me bojkotin dhe shqetësimet e opozitës”.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel