IOC njeh Kosovën me të drejta të plota, hapet rruga për në Olimpiadë

09/12/2014 00:00

Kosova është anëtare me të drejta të plotë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Ky është vendimi unanimi i marrë ditën e martë në takimin e Monakos së këtij komitetit.

Në muajin tetor, Bordi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, IOC mori vendim për njohje të përkohshme të Kosovës dhe propozoi njohjen e përhershme me të drejta të plota në takimin e Monakos.

Sipas vendimit të IOC-së, Kosova ka përmbushur kërkesat për pranim, si ato sportive ashtu edhe ato teknike të parashikuara nga rregullorja, ndër të cilat është edhe njohja si shtet nga pjesa më e madhe e vendeve ndërkombëtare.

Ky vendim i hap rrugën sportistëve kosovarë që të marrin pjesë në lojërat Olimpike, duke nisur që nga ato të 2016 në Rio të Brazilit.

Ndryshe nga FIFA, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk kushtëzon anëtarësimin me pranimin e një vendi me të drejta të plota nga OKB. Aktualisht Kosova është njohur si shtet nga 108 shtete anëtare të OKB-së, nga gjithsej 193.

Top Channel