Thaçi: Në fundjavë merr formë qeveria e re e koalicionit PDK-LDK

05/12/2014 00:00

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur këtë të premte, përmjes rrjeteve sociale, se java e ardhshme do të sjellë për Kosovën një qeveri të re dhe krijimin e të gjitha institucioneve përkatëse, të dala nga zgjedhjet demokratike dhe falë marrëveshjes me LDK-në.

Finalizimi i marrëveshjes, që i dha fund një periudhe të gjatë pa qeveri dhe pa institucione në Kosovë, për shkak të ish-koalicionit opozitar VLAN që refuzonte të mbante sërish në qeveri Thaçin, pritet të bëhet gjatë fundjavës me të gjitha detajet mbi strukturën e re qeverisëse.

Por, gjithçka është në pritje të kthimit të Thaçit nga Shtetet e Bashkuara, ku ai ka marrë pjesë në punimet e Këshillit të Sigurisë në OKB.

“Siç e paralajmërova dje edhe gjatë fjalimit tim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ditët e para të javës që vjen do të sjellin institucionet e reja në Kosovë, të dala nga zgjedhjet demokratike dhe nga marrëveshja gjithëpërfshirëse e koalicionit mes PDK dhe LDK. Finalizimi i marrëveshjes së partnerëve të koalicionit do të kryhet gjatë fundjavës, kur do të shpaloset edhe struktura e re qeverisëse. Muajin dhjetor do ta përdorim për punë intensive në Kuvend dhe Qeveri, për të implementuar prioritetet. Koalicioni i ri qeverisës do të shtyjë fuqimisht axhendën euroatlantike dhe reformat ekonomike, që nga dita e parë e punës”, është shprehur kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet Facebook-ut.

Top Channel