Jahjaga dekoron figurat e sportit kosovar

04/12/2014 00:00

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka dekoruar dy figura të njohura të sportit kosovar me medalje presidenciale të meritave.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, ish-futbollisti i mirënjohur, Fadil Vokrri dhe sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, ish-boksieri Mehmet Bogujevci kanë marrë medaljet presidenciale nga zonja Jahjaga të enjten.  

Jahjaga ka thënë se këto dy figura të njohura të sportit i ka dekoruar për angazhim dhe kontributin që e kanë dhënë në ngritjen e sportit në Kosovë.  

Futbollisti Fadil Vokrri ka nisur karrierën e tij si futbollist në Llap të Podujevës dhe më vonë kaloi tek Klubi “Prishtina”. Kulmin e karrierës së tij Vokrri e ka arritur gjatë kohës kur ka luajtur për ekipin e Partizanit të Beogradit.

Gjatë asaj periudhe, në vitin 1987 klubi italian Juventus ishte i interesuar për Vokrrin dhe i kishte propozuar nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në të njëjtin vit, Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë në Jugosllavi.

Edhe boksieri Mehmet Bogujevci që tani është 63 vjeç ka pasur një karrierë të suksesshme në kohën e ish-Jugosllavisë. Në 1968 Bogujevci ka fituar titullin e më të mirit në ish-Jugosllavi për junior. Këtë sukses e ka përsëritur edhe një vit më vonë në peshën 51 kg.

Bogujevci e ka arritur titullin e parë në kategorinë senior në ish-Jugosllavi në vitin 1977. Po këtë vit ai ka fituar medaljen e bronzit  në kampionatin europian në Gjermani.

Ndërsa në vitin 1980 me trainerin e njohur Lah Nimani i cili në atë kohë ishte përzgjedhës i ish-Jugosllavisë, boksieri Bogujevci fitoi vendin e pestë në Lojërat Olimpike në Rusi.

Medalja Presidenciale e Meritave në Kosovë u jepet personave që me punën e tyre kanë kontribuar në fusha të veçanta si: arsim, shkencë, kulturë, rini, sport, siguri, shërbim civil.

Top Channel