KDI: Vlerësimi i TI-së ndikon në zhvillimin ekonomik

03/12/2014 00:00

Kosova nuk ka shënuar progres, sa i përket luftës kundër korrupsionit,
pasi edhe këtë vit vazhdon të ketë 33 pikë, njësoj si vitin e kaluar dhe
është radhitur në vendin e 110-të, prane Shqipërisë, Ekuadorit,
Etiopisë dhe Malauit.

Në një konferencën për media, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, u prezantua Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014, i cili është përgatitur nga ‘Transparency International Kosova’.

Artan Canhasi, nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se arsyeja e kësaj shkalle të lartë të korrupsionit mbeten shkeljet e shumta ne prokurim publik, mungesa e transparencës së finanicimit të partive politike dhe funksionimi jo efikas i institucioneve gjyqësore.

“Ne si KDI mendojmë se arsyet janë të shumta, e kryesisht kanë të bëjnë me tri drejtime të ndryshme që janë shkeljet e shumta në prokurimin publik në Kosovë. Kemi mungesën e transparencës së financimit të partive politike, ku të hyrat nga prokurimi publik shkojnë për partitë politike dhe nuk deklarohen dhe kemi kontributet e fshehta që nuk deklarohen fare. Ky trekëndësh, ku zyrtarët publikë pranojnë fonde ilegale nga bizneset, e ku të njëjtët zyrtarë zgjidhen me ndihmën e këtyre fondeve që merren. Në të njëjtën kohë, këta zyrtarë publikë i shpërblejnë bizneset përmes tenderëve. Ekziston një trekëndësh, ku bëhet qarkullimi i të hollave, në formë të korruptuar”, tha Canhasi.

Ndërsa hulumtuesi dhe koordinatori i KDI-së, Visar Sutaj tha se ka një vlerësim negativ për Kosovën sa i përket korrupsionit, gjë e cila sipas tij ndikon drejtpërdrejtë dhe në zhvillimin ekonomik në vend.

“Perceptimi ndërlidhet me informatat të cilat ofrohen në treg dhe këtu nuk kemi matje të opinionit publik. Është matje e opinionit të ekspertëve të cilët vijnë nga institucione të besueshme dhe tregojnë gjendjen aktuale në Kosovë. Gjendja aktuale në Kosovë, tregohet jo aq e mirë. Faktikisht kemi një vlerësim shumë negativ. Por më e rëndësishmja është që kjo ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe tregon që ne rendin dhe ligjin dhe shoqërinë kapitale apo besimin në përgjithësi në Kosovë, është mjaftë i ulët. Kjo është një indikator që tregon thjeshtë matjen e interesimit të investitorëve në Kosovë“, theksoi Sutaj.

Ne indeksin e vitit 2014 per perceptimin e korrupsionit Kosova renditet e fundit ne mesin e vendeve qe synojne BE dhe atyre antare te bllokut.

Top Channel