Kosova kujton Ibrahim Rugovën

02/12/2014 00:00

Kosova kujton këtë të martë presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij. Kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie kanë bërë homazhe në varrin e tij, duke vlerësuar figurën e liderit të ndjerë.

“Sot nderojmë kryetarin dhe themeluesin e LDK-së, si dhe liderin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rugova mbetet një ndër personalitetet më të shquara të kësaj epoke, themelues i shtetit të Kosovës dhe krijues i lirisë dhe pavarësisë”, deklaroi Mustafa.

Në veçanti Mustafa vlerësoi angazhimin e Rugovës që çështja e Kosovës të zinte një pozitë kyçe në arenën ndërkombëtare.

Presidenti i ndjerë është kujtuar edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Sot shënojmë ditëlindjen e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Kosova, republikë e pavarur dhe demokratike, e orientuar thellësisht kah komunitetit euro-atlantik, ka qenë synim i presidentit të parë me të cilin kam bashkëpunuar në momentet më jetike të historisë sonë të re. Familja e tij dhe populli i Kosovës janë sot krenarë për punën e tij të palodhshme për liri dhe pavarësi”, shkroi Thaçi në profilin e tij.

Top Channel