Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është i bindur se më 8 dhjetor do të votohet si kryeministër i Kosovës.
Ai ka deklaruar se marrëveshja mes PDK-së dhe LDK-së do të finalizohet në ditët në vijim.
“Pritet finalizimi i marrëveshjes me PDK-në për ndarjen e përgjegjësive për të bashkëqeverisur në mandatin e ardhshëm. Në asnjë mënyrë nuk do të pranojnë koalicion me askënd nëse posti i Kryeministrit nuk i takon LDK-së, ashtu siç ka vendosur edhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Sot ose nesër pritet përfundimi i harmonizimeve të programeve qeverisëse”, tha Mustafa.
Teksa lideri i LDK-së foli për realizimin e marrëveshjes, në ambientet e Kuvendit është mbajtur takimi i Grupeve punuese për hartimin e programit qeverisës të koalicionit PDK-LDK.
Pavarësisht deklaratave që janë bërë deri tani, ende zyrtarisht nuk ka një ndarje të ministrive të caktuara dhe as caktim të udhëheqësve të dikastereve.
Teksa lideri i LDK-së Isa Mustaf foli para Kuvendit për marrëveshjen me Thaçin, ky i fundit ishte në një takim me agjentët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Në cilësinë e kryeministrit, Thaçi ka njoftuar në Facebook se ka takuar strukturat e AKI-së.
Thaçi u ka thënë agjentëve se askush më mirë se ta nuk e di se sa është e vështirë të ruhet liria dhe pavarësia e shtetit.
Kryeministri në detyrë, Thaçi ende nuk ka folur asnjëherë nëse do t’ia dorëzojë detyrën e kryeministrit partnerit të ri të koalicionit, Isa Mustafa.
Thaçi në martën pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë më 4 dhjetor në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.
Top Channel