Basha mbledh Kryesinë: Demokratët më të fortë e më optimistë

01/12/2014 00:00

Në mbledhjen e parë të kryesisë pas zgjedhjeve që përcaktuan strukturat
drejtuese të partisë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasi
vlerësoi procesin zgjedhor si transparent dhe se nga ky proces demokratët kanë dalë më të fortë dhe më optimistë.

“Dy fjalë kyçe që shprehin më mirë se të tjerat përbërjen e këtij ekipi janë përfaqësim dhe harmonizim. Përfaqësimi dhe harmonizimi i prodhoi dhe i vulosi vota e lirë. Partia Demokratike është sot më e fortë me kryesinë e re me ekipin e ri. Me këtë kryesi, me ju, të gjitha demokratët sot janë edhe më të fortë, edhe më optimistë me sfidat e opozitarizmit, të nisjes së re dhe të fitores. Ne do të jemi aty ku qytetarët kanë nevojë për mbështetjen tonë. Ne nuk do t’i lëmë të braktisur, të vetëm. Do të jemi në anën e tyre, do të jemi në ballë të protestës së tyre që sa vjen e shtohet, zgjerohet çdo ditë. Unë dhe secili prej jush do të jemi çdo ditë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët në qytete dhe fshatrat e Shqipërisë. Kryesia e Partisë Demokratike do të ketë vetëm selinë qendrore në Tiranë. Aktiviteti juaj, i deputetëve dhe i imi do të jetë në çdo qytet, lagje, rrugë, komunë dhe fshat, krah për krah me hallet e qytetarëve dhe të vendosur për t’u dalë sot halleve të tyre dhe fatit të Shqipërisë”, tha në fjalën e tij Basha.

Kreu i demokratëve bëri një panoramë të zymtë të
gjendjes në të cilën ndodhet vendi.

“Jetojmë në një kohë të vështirë dhe qytetarët i kanë kthyer sytë nga opozita. Situata po shkon keq e më keq, ekonomia po përkeqësohet. Pse çmimi i naftës është ulur vetëm 5 përqind, ndërkohë që në botë ka një rënie me 35 përqind? Eksportet kanë pësuar rënie, po ashtu edhe konsumi. INSTAT deklaroi 22 mijë vende punë më pak”, deklaroi Basha.

Basha tha se qindra denoncime të qytetarëve për abuzime me faturat e energjisë elektrike kanë mbërritur në dyert e opozitës, ndërsa shtoi se studentët po braktisin studimet për faktin se e kanë të pamundur të përballojnë kostot e tyre.

Top Channel