PD përmbyll zgjedhjet partiake. Basha: Ripërtëritje partisë

30/11/2014 00:00

Partia Demokratike përmbylli procesin e zgjedhjes së lidershipit të ri një vit e gjysmë pas zgjedhjes me votim direkt nga anëtarësia të kryetarit, Lulzim Basha.

Që nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar në forcën më të madhe të opozitës dhe shumë gjakra të nxehur janë qetësuar, një moment që sipas kryetarit Lulzim Basha është i përshtatshëm për të zgjedhur ekipin e ri drejtues, duke mbajtur të bashkuar partinë.

“Partia Demokratike ka bërë analiza, jo harakiri, por ripërtëritje. Secili prej të zgjedhurve duhet të jetë çdo ditë pranë qytetarëve për t’i dëgjuar, për t’i mbështetur, që ata të ndjejnë se nuk janë vetëm në braktisjen e  madhe që u ka bërë dyshja Rama-Meta”, tha kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

Ripërtëritja nisi me nënkryetarët, që nuk iu nënshtruan një votimi të fshehtë, por votëbesimit të hapur të Këshillit Kombëtar prej 278 anëtarësh. Edi Paloka dhe Edmond Spaho janë nënkryetarët e rinj të Partisë Demokratike.

Sipas statutit, edhe nënkryetarët nuk duhet të bënin përjashtim nga gara, por zyratrisht thuhet se në këtë pikë statuti u anashkalua për shkak të specifikës së rastit; që të dy deputetët  e kanë kryer të komanduar këtë funksion prej më shumë se një viti e gjysmë, si përfaqësuesit më të lartë të opozitës në parlament, njëri kryetar grupi, tjetri nënkryetar parlamenti.

Këshilli Kombetar i dha të njëjtin votëbesim edhe kryesisë së grupit parlamentar, i cili prej 10 korrikut ka braktisur Kuvendin e Shqipërisë.

Pas zgjedhjes së lidershipit të ri të partisë, marrja e vendimit në lidhje me parlamentin është çështja tjetër e rëndësishme për Partinë Demokratike, sepse koha për djegjen e mandateve të deputetëve në bojkot është shumë e afërt.

Zyrtarisht mandatet digjen në 10 janar, kur plotësohen 6 muaj mungesë, por sesioni këtë vit mbyllet më 18 dhjetor, që do të thotë se 3 javët e ardhshme do të jenë vendimtare për opozitën.

Top Channel