Kosova feston Ditën e Flamurit shqiptar

28/11/2014 00:00

Në Prishtinë atmosfera festive ka filluar që në mëngjes me tinguj muzikorë dhe familje e fëmijë, që të veshur kuqezi kanë dalë në qendër të qytetit.

Mes panairit me prodhime shqiptare dhe tingujve të muzikës popullore, as moti i ftohtë dhe me shi nuk i ka penguar qytetarët të festojnë.

Kudo është flamuri kuqezi, ndërsa edhe pse në kalendarin zyrtar të festave 28 Nëntori nuk është ditë pushimi zyrtarisht, shumë intistitucione në fakt kanë ndërprerë punën.

Në këtë ditë në Kosovë festohet edhe dalja publike për herë të parë e UÇK-së dhe ditëlindja e Adem Jasharit. Ceremoni në nder të tij po organizohen në të gjithë Kosovën, përfshirë homazhet e përvitshme në Prekaz.

Shqiptarët ndërkohë i ka uruar edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Shqipëria sot feston 102-vjetorin e Pavarësisë, me pozicionin më të mirë politik, diplomatik dhe perspektivë të qartë europiane.

Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook se kjo ngjarje ka frymëzuar dhe kultivuar gjerësisht ndjenjën dhe idenë e lirisë për vite me radhë edhe në viset e mbetura jashtë Shqipërisë së 28 nëntorit 1912.

Top Channel