PD, 31 amendamente kundër buxhetit. Basha: Është paketa antikrizë

26/11/2014 00:00

Gjatë një mbledhjeje në godinën e Partisë Demokratike, grupi më i madh parlamentar i opozitës prezantoi 31 amendamentet e saj për projektbuxhetin dhe paketën fiskale. Edi Paloka mori rolin e Ilir Metës dhe nuk kurseu ironinë.

“Do ju kërkoja të respektojmë sa më shumë të jetë e mundur kohën. Sigurisht që nuk do t’jua ndërpres fjalën”, tha Paloka.

Amendamentet e paraqitura kërkojnë uljen e TVSH-së për energjinë, si premtim elektoral i kryeministrit Rama, rritjen e pagave, një akt që sipas opozitës mungon në buxhet, uljen e disa taksave dhe një sërë masash të tjera, me anë të të cilave Partia Demokratike beson se frenohet përkeqësimi i ekonomisë.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, që nuk ishte mbledhur prej datës 1 shtator, ra në sy mungesa e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai mesa duket u ka lënë dore të lirë deputetëve, kur në drekë lajmëroi prezantimin e 31 amendamenteve.

“Këto amendamente synojnë të korrigjojnë me sa është e mundur në situatën aktuale, kursin e marrë të përkeqësimit të sigurtë të gjendjes ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve”, tha Basha.

Gjatë këtij deklarimi në drekë, zoti Basha u kursye të thotë nëse amendamentet do të shkojnë apo jo në Parlament, por ai u tregua bujar, kur i tregoi qeverisë ofertat e shanseve për reflektim.

“Protesta popullore e së shtunës ishte një shans që iu dha qeverisë për të reflektuar, por që qeveria po e hedh poshtë. Amendamentet tona përbëjnë një tjetër shans për reflektim, që qeveria duhet ta shfrytëzojë sa më parë”, vijoi Basha.

Por ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mesa duket nuk ndan të njëjtin mendim me pasardhësin e tij. Lejtmotivi i Sali Berishës në fjalimin përpara grupit ishte largimi i Edi Ramës, edhe me mosbindje civile, sepse sipas Berishës, Edi Rama nuk po mban asnjë premtim dhe po zëvendëson shtetin ligjor me atë policor.

“Ndaj dhe sot jam këtu për të shprehur mendimin se largimi i Edi Ramës është emergjencë kombëtare. Kurrë ndonjëherë një qeveri shqiptare nuk ka akumuluar aq pakënaqësi për çmimin, zemërimin tek qytetarët e të gjitha bindjeve, moshave e gjinive siç ka akumuluar Edi Rama me vetëgjyqësinë, negativitetin, hakmarrjen dhe urrejtjen e tij në një ditë të vetme”, deklaroi Berisha.

Deri tani Partia Demokratike nuk ka bërë të qartë nëse do t’i dorëzojë zyrtarisht në Kuvend amendamentet dhe nëse po, a do t’i mbrojnë ata këto amendamente në sallën e Kuvendit.

Top Channel