Udhëtimi me metro nuk është se ka ndonjë reputacion të mirë dhe këtu ka ndikuar edhe pritja dhe papastërtitë që shoqërojnë një pjesë të madhe të stacioneve të tilla.

Por ka edhe një anë tjetër të tyre, që nuk është e errët dhe e pistë, por e pastër, ndriçuese e që diku ngjason më shumë me një vepër arti.

Më poshtë po rëndisim disa prej stacioneve të metrove më unike në botë.

“Formosa Boulevard”. Gjysmë kaleidoskop, gjysmë metro. Objekti i ndodhur në Tajvan është vepra më e madhe artistike e ndërtuar krejtësisht në xham.

Toledo, Napoli. Për të gjithë ata që kanë patur mundësinë të kalojnë të paktën një herë në këtë stacion, u duket sikur po futen në një botë ëndrrash dhe gjithë kjo falë punës artistike që ka kombinuar ujin dhe dritën.

“Westfriedhof”, Mynih. Përveçse është në listën e stacioneve më të frekuentuar, falë punës rikonstruktuese tashmë ndodhet edhe në atë të veprave artistike. Ofron një ambient çlodhës me kombinim interesant të ndriçimit.

“Komsomolskaya”, Moskë. Më shumë duket si një sallë kërcimi, por ky stacion i ndërtuar me stilin barok është ndërtuar i frymëzuar nga një fjalim i Stalinit gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

“Fulton Transit Center”, Nju Jork. I sapo hapur, ky stacion është ndoshta i vetmi në mbarë botën që ofron ndriçim natyral, siguruar falë tavanit të qelqtë.

“Khalid Bin al Waleed”, Dubai. Kur shtetit nuk i mungojnë paratë, produkti është një stacion metroje, që ta quash luksoz është pak.

“London Underground”. Është metroja më e vjetër në botë, por kjo s’do të thotë që s’mund të ketë stacionin me pamjen më futuristike, ndoshta të frymëzuar nga ndonjë film fantashkencë.

“Universidad de Chile”, Kili. Stacioni i ndodhur në kryeqytetin Santiago është shtëpi e një vepre gjigante murale e artistit Mario Toral, që ka mbuluar faqet e murit me pjesëza të historisë jo pak të dhimbshme të vendit të tij.

“T-Centralen”, Stokholm. Nuk këshillohet për ata që vuajnë nga klaustrofobia, por të tjerët sa më poshtë zbresin shkallët e tij, aq më të çuditshëm do ta gjejnë ambientin.

FOTO GALERI
2/9
Toledo, Napoli

Top Channel