Rama përshëndet koalicionin në Kosovë: Pakti i vështirë, por i nevojshëm

21/11/2014 00:00

Zgjidhjen e ngërçit politik të atjeshëm, kryeministri Edi Rama i quajti
si dritë në fund të tunelit duke theksruar se nuk ishte një vendim i
lehtë.

“Kjo është për t’u përshëndetur si kthim i partive politike në realitetin demokratik të vendit dhe vendosjen e tyre në dispozicion të një zgjidhjeje kushtetuese, e cila u rikthen frymëmarrjen e legjitimitetit popullor institucioneve të Kosovës, si dhe u jep një shenjë kuptimplotë të vullnetit të mirë qytetarëve të Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare, jetës ekonomike dhe sociale të shtetit tjetër të shqiptarëve”, tha kryeministri.

Rama u ndal edhe në rolin që duhet të ketë opozita e re e Kosovës.

“Duke mbështetur dhe inkurajuar njëkohësisht të gjithë faktorin opozitar të Kosovës për të vigjiluar me rigorozitet mbi koalicionin e madh. Së paku, në numra, koalicioni i madh respekton më së miri vullnetin e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës. Le të urojmë, që Qeveria e dalë nga kjo zgjidhje e re do ta respektojë këtë vullnet edhe në frymë edhe në veprimin qeverisës, për të bërë reformat e mëdha, që një koalicion i madh ka jo vetëm mundësinë, por edhe detyrimin madhor të kryejë”, tha Rama.

“Sfidat dhe vendimarrjet që do të përnballen institucionet e reja janë të vështira”, tha Rama, i cili shprehu angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare për të çuar përpara atë që nisi në mbledhjen e dy qeverive në Prizren.

‘Republika e Shqipërisë do të jetë gjithmonë në krah dhe në mbështetje të Kosovës. Ndërkohë që Qeveria e Shqipërisë mezi pret të fillojë punën e përbashkët me Qeverinë e re të Kosovës për të forcuar partneritetin tonë strategjik dhe për të vazhduar me një shpejtësi të re udhëtimin e nisur në mbledhjen e përbashkët të qeverive në Prizren, si dhe për të çuar përpara, bashkërisht, procesin historik të çelur në Konferencën e Berlinit, duke u bërë një model i përbashkët shqiptar, rajonal i zhvillimit, mirëkuptimit dhe integrimit ballkanik në Europë”, tha Rama.
.

Top Channel