LDK, 6 deputetë kundër koalicionit me PDK

20/11/2014 00:00

Kritikat e para në drejtim të koalicionit të sapoformuar mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike kanë ardhur pikërisht nga anëtarët të partisë së Isa Mustafës.

Të paktën gjashtë nga tridhjetë deputete që ka LDK-ja tashmë janë deklaruar hapur dhe publikisht se do të votojnë kundër qeverisë së koalicionit PDK-LDK në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Mes tyre është deputetja Vjosa Osmani, e cila është dhe më e votuara në LDK pas Isa Mustafës, që ka qenë më e ashpër në reagimin e saj.

Ajo ka thënë se koalicioni me PDK-në do të thotë fundi i LDK-së, sepse bëhet në kundërshtim me vullnetin e elektoratit.

Një valë pakënaqësie po ashtu kanë shkaktuar edhe postimet e zotit Mustafa në Facebook, ku lajmërohej lidhja e re me PDK-në në një koalicion, pavarësisht se aty kryetari i LDK sqaronte arsyet që e shtynë drejt këtij vendimi.

Burime të Top Channel brenda LDK-së kanë bërë të ditur se lidershipi i partisë është duke kontaktuar me strukturat partiake për t’i bindur se koalicioni do t’i sjellë të mira partisë, e cila ndodhet në opozitë që nga viti 2010.

E ndërsa po punohet për të bindur anëtarësinë, LDK-së i duhet të mbrohet edhe nga ish-partnerët e bllokut Vëtevendosje, AAK dhe Nisma.

Në një deklaratë për shtyp, LDK vlerëson se është shqetësuese tendenca e këtyre liderëve që të përbuzin dhe denigrojnë personalitetin e liderit të LDK-së, me të cilin ata arritën marrëveshje për bashkëqeverisje dhe të cilin e pranuan si lider të koalicionit pas zgjedhor.

Sipas komunikatës, LDK-ja i gëzohet faktit se tani është kuptuar qëllimi i vërtetë i liderëve të AAK-së dhe VV-së, që sipas saj, duket se nuk është ndryshimi i qeverisjes, por dëmtimi dhe denigrimi personal i liderit të LDK-së.

Top Channel