Jacobsson: Koalicioni, çështje e politikës kosovare

20/11/2014 00:00

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se marrëveshja për koalicionin qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, është punë e politikanëve të Kosovës dhe jo e ambasadës amerikane apo e bashkësisë ndërkombëtare.

Ajo shprehu mirënjohjen për atë që e quajti ‘rol impresionues’ të presidents Atifete Jahjaga dhe tha se e rëndësishme për Kosovën është që palët e përfshira në negociatat aktuale janë të përkushtuara për përparësitë strategjike të cilat i ndajnë edhe amerikanët, siç janë:

Themelimi i gjykatës speciale, vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe miratimi i ligjit për luftëtarët e përfshirë në luftrat e huaja.

“Roli ynë ishte që të nxisnim një proces që do të zhvillohej në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, që do të ishte në pajtim të plotë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese që u sollën gjatë verës dhe që të ecej drejt formimit të qeverisë që përfshin pakicat dhe që punon për të gjitha këto çështje të rëndësishme. Ne ishim të përqendruar në proces dhe në parime, por jo në parti, në ndonjë individ të veçantë apo udhëheqës politik”, është shprehur Jacobson.

E pyetur nëse ishte mesazhi i saj në shqip pak javë më parë për politikanët që i lëvizi gjërat, Jacobson ka shtuar se nuk donte t’i jepte shumë rëndësi asaj paraqitjeje, por mesazhi ishte që palët duhet t’i përvisheshin punës.

“Nuk e dimë se kush do të jetë, ta zëmë kandidati për kryeministër apo për kryetar të Parlamentit. Kjo nuk na takon, nuk është interesi ynë. Interesi ynë është që procesi të shkojë përpara, që të çojë, javën e ardhshme shpresoj, në një parlament dhe qeveri funksionale”, ka thënë Jacobson për Zërin e Amerikës.

Top Channel