Haradinaj: Koalicioni, fatkeqësi për vendin

20/11/2014 00:00

Me anë të një komunikate të shkurtër ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në lidhje me koalicionin e arritur mes PDK dhe LDK.

Koalicioni i arritur mbrëmjen e së mërkurës në prezencë te Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadores së SHBA, Tracey Jacobson, është cilësuar i pritshëm nga partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

“Pas zhvillimeve në muajin e fundit kjo ishte e pritshme. Na vjen keq për prishjen e bllokut. AAK vazhdon me subjektivitetin e vet dhe me këmbënguljen për ndërtim të një vendi demokratik, të lirë prej korrupsionit dhe krimit të organizuar!” përfundon komunikata e AAK-së.

Edhe lideri i AAK, Ramush Haradinaj ka reaguar në rrjetin social “Facebook”, duke e cilësuar koalicionin si një fatkeqësi për vendin.

“Një qeverisje e tillë pati dështuar si mos më keq gjatë viteve 2008-2010. Përzierja e dy shkollave të dështuara qeverisëse do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë. Do të dështojnë sërish. Është çështje kohe, por fatkeqësi për vendin”, shkruan Haradinaj.

Top Channel