LDK drejt koalicionit me PDK?!

19/11/2014 00:00

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri foli në “Reviztën Televizive të Mbrëmjes” mbi situatën ende të pazgjidhur të krizës politike në Kosovë, si edhe mbi pozicionimin e LDK-së.

Zoti Haziri tha se LDK-ja duhet të marrë një rol udhëheqës në zgjidhjen e krizës dhe krijimin e institucioneve të Kosovës. Ai shtoi se LDK-ja po punon për ta ruajtur koalicionin paszgjedhor.

Pandi Gjata: Zhvillime dinamike në ditët dhe orët e fundit në Prishtinë. Tashmë i kemi të njohura qëndrimet edhe brenda koalicionit paszgjedhor. Jeni më afër me koalicionin paszgjedhor apo afër PDK-së?

Lutfi Haziri: Dua të nënvizoj edhe një herë rolin e LDK-së në këtë situatë politike të krijuar që nga zgjedhjet e fundit. Kanë kaluar 5 muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve dhe janë konsumuar të gjitha mjetet politike për të ndërtuar institucionet. Koha po kërkon që LDK-ja të marrë një rol udhëheqës në qeverinë e vendit, në mënyrë që të inaugurohet Kuvendi i Kosovës dhe të vazhdohet me ndërtimin e institucioneve të shtetit. Në fakt, ne jemi duke punuar për ta ruajtur koalicionin paszgjedhor.

Pandi Gjata: Nuk përjashtoni as PDK-në e zotit Thaçi, apo jo?

Lutfi Haziri: Sot, këshilli i LDK-së do të vendosë kryetarin që zhvillon bisedimet. Në radhë të parë me partnerët e koalicionit pas zgjedhor. Gjithashtu largohet çdo kusht tjetër për mos takim edhe me PDK-në.

Pandi Gjata: Në mediat e Prishtinës u komentua shumë edhe një foto e juaja bashkë me nënkryetarin e PDK-së dhe është parë si thyerja e këtij akulli disa mujor mes dy subjekteve dhe komentet ishin, a po fryn një erë e re, një koalicion PDK-LDK…

Lutfi Haziri: Jo, kjo nuk ka të bëjë me një simbolik të tillë. Së bashku me zotin Enver Hoxhaj kam qene i ftuar në një takim të organizuar nga shoqëria civili. Unë kam pasqyruar programin qeverisës të LDK-së, ndërsa zoti Hoxhaj programin e partisë së tij. Përpara shoqërisë civile nxorëm dallimet tona dhe nevojën që ka Kosova për të ndërtuar institucionet. Kemi mbështetje për të marrë një rol udhëheqës, por duke respektuar rolin e partnerëve.

Pandi Gjata: Si e keni parë ftesën e zotit Thaçi, ku me delikatesë, me anë të një mesazhi në “Facebook”, bëri thirrje për bashkëpunim mes partive të djathta në Kosovë?

Lutfi Haziri:
Parti e djathtë në Kosovë, ideologjike dhe e certifikuar, është LDK-ja, e cila është anëtare e partive popullore europiane. Këtë politikë ne e pasqyrojmë edhe në programet tona. Ndërsa partitë e tjera kanë një orientim programor për të shkuar nga e djathta, por nëse e sheh profilin e tyre atëherë e kupton se janë larg. Në Kosovë është e nevojshme një shumicë parlamentare shqiptare për të krijuar stabilitet, pasi shumë vendime që priten të merren në Kosovë kërkojnë dy të tretat e votave.

Pandi Gjata: Në fundjavë u fol për një rol të rëndësishëm të kancelares Merkel në krizën e Kosovës. Ish-ambasadori gjerman në Prishtinë ishte i dërguari i saj, ku u takua me tre liderët e tre partive kryesore. U fol për një koalicion dhe një formulë të propozuar, a mund të ma konfirmoni këtë dhe a po shkohet drejt kësaj?

Lutfi Haziri: I dërguari i kancelares Merkel na ka dhënë një mbështetje parimore, por shumë të rëndësishme. Në Kosovë, pavarësisht mbështetjes nga shtete të fuqishme, ne duhet ta zgjidhim vetë krizën, duhet të gjejmë një zgjidhje të pranueshme kushtetuese edhe për popullin e Kosovës, por edhe për partnerët ndërkombëtarë.

Top Channel