“Të gjithë kundër gjakmarrjes”

18/11/2014 00:00

Avokati i Popullit, Igli Totozani kërkoi që Kuvendi të dalë me një rezolutë ku të gjitha institucionet të angazhohen për të luftuar gjakmarrjen, si një fenomen që tashmë është shndërruar në problem edhe për vendet perëndimore si pasoje e azilkërkuesve.

“Mendojmë se është e nevojshme që Kuvendi, në bazë të proçedurave të tij, të mbajë një qëndrim përmes një rezolute për trajtimin me seriozitet të një fenomeni që prek të drejtat dhe liritë e njeriut, por që është kthyer edhe në një problem shqetësues për vendet e Perëndimit, duke rrezikuar kthimin e regjimit të vizave”, deklaroi Totozani.

Ndërsa ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla përmendi mesimdhënien nëpërmjet projektit “Shansi i Dytë” për fëmijët e ngujuar, por e konsideroi atë të pamjaftueshëm, duke kërkuar që të merret shembull nga Kosova. Ajo kërkoi përfshirjen e të gjitha institucioneve në luftën kundër gjakmarrjes.

“Ne të bëjmë një Kuvend mbarëkombëtar jo duke folur se bëmë këtë ligj të mirë apo adresuam këtë shans të dytë, por të mbushim sheshet për të adresuar punësimin dhe arsimin për këta të rinj dhe nënat e tyre. Institucionet, shoqëria civile dhe deputetët duhet të jenë në zonë për të folur me këto familje”, tha Nikolla.

Ndërsa përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme tërhoqi vëmendjen drejt policisë, me qëllim mbërritjen më shpejt drejt autorit të vrasjes për gjakmarrje, pasi shpesh shumë çështje pushohen për shkak se nuk gjendet autori.

“Në rastet e veprimtarisë ekzekutuese, që lidhet me vendimet e formës së prerë, prokuroria urdhëron ekzekutimin e arrestit, por ai kryhet nga njësitë policore në të gjitha rastet”, deklaroi Kujtim Luli.

Ndërsa deputeti i PS, Pandeli Majko kërkoi rakordim të punës ndërmjet institucioneve pasi shifrat e raportuara nga institucionet nuk përkonin mes tyre.

“Shqetësimi ynë dhe arsyeja pse ju kemi thirrur në tavolinë nuk është të bëjmë muhabet për gjakmarrjen, por është shqetësimi ynë që ne këtë plagë të shoqërisë e kemi futur në një fasho pa medikacion dhe pa caktuar ku po shkojmë e çfarë po bëjmë. Kaq”, tha Majko.

Zona e Shkodrës mban numrin e parë përsa i takon vrasjeve për gjakmarrje e ku aktualisht rezultojnë të ngujuara 82 familje.

Top Channel