Të drejtat e fëmijëve, sipas fëmijëve

18/11/2014 00:00

Julka Çota është një nga 16 fëmijët, që në vitin 2000 u përzgjodhën për një mision të madh: atë të përshtatjes me gjuhë për fëmijët, të një dokumenti shumë të rëndësishëm, Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve.

14 vite më pas, Julka kujton me nostalgji këtë nismë të madhe, që e nisi në qytetin e Elbasanit me bashkëmoshatarët e saj.

“Sigurisht që nuk ka qenë e thjeshtë për ne. Ka qenë e vështirë të kuptonim nenet, terminologjinë e përdorur atje, dhe ta rishkruanim në një gjuhë që ishte e përshtatshme për ne si fëmijë. Unë kam qenë vetëm 10 vjeç në atë kohë dhe më duhej që minimumi ta kuptoja për veten time, pastaj t’ia transmetoja të tjerëve”, tregon Julka mbi mënyrën se si nisi puna për Konventën.

Atëherë ishte nxënëse e klasës së katërt fillore dhe ishte një nga 16 fëmijët e përzgjedhur në shkolla nga organizata “Save the Children”, të cilët u bënë zëri i të gjithë fëmijëve të Shqipërisë.

“Zëri 16 plus”, siç u quajt edhe grupi, me fëmijë nga 8-16 vjeç, ndahej në grupe dhe jepnin mendime se si të zbërthehej një dokument juridik me fjalë të thjeshta e të kuptueshme.

“Mbaj mend që e kemi pasur shumë të vështirë në atë kohë të kuptonim termin advokaci. Nuk e kuptonim fare dhe nuk ishte e thjeshtë as për të tjerët që të na e shpjegonin, deri në atë pikë sa ne ta kuptonim dhe t’ua transmetonim shumë mirë edhe të tjerëve pa pasur asnjë lloj dyshimi. Sigurisht, si puna e këtij termi ka pasur edhe shumë të tjerë”, vijon më tej Julka.

Me ndihmën e ekspertëve të organizatës, brenda një viti ky grup realizoi një libër për Konventën, i cili shpjegonte të drejtat e fëmijëve, por ajo çfarë ishte më e veçantë, ishte se ajo parashikonte edhe detyrimet që kishin ata, gjë që s’ishte ekzistuese në dokumentin bazë.

“U botuan shumë kopje të konventës, u shpërndanë nëpër shumë shkolla të Shqipërisë, megjithatë mbeti sërish problem fakti që jo të gjithë fëmijët kishin dijeni mbi librin, sepse ai ishte nëpër biblioteka dhe jo të gjithë fëmijët i frekuentonin bibliotekat e shkollës, pavarësisht shumë aktiviteteve që zhvilloheshin. Më pas menduam që grupin që ishte në Elbasan të mund ta zgjeronim edhe në qytete të tjera, kështu që u krijuan edhe tre grupe fëmijësh, në Durrës, Peshkopi dhe Burrel. Kështu mendonim se do të ishte më i njohur libri dhe do të kishte më shumë impakt ajo që ne kërkonim, që fëmijët të njihnin sa më mirë të drejtat e tyre. Tashmë projekti ka kaluar në një fazë tjetër, atë të ngritjes së kapaciteteve të fëmijëve, pjesëmarrjen nëpër konferenca të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, ku ne jo vetëm marrim pjesë si dëgjues, por shpesh herë kemi qenë edhe aktivë me raportet duke ngritur probleme dhe duke sugjeruar zgjidhje për to”, deklaroi Julka.

Kjo eksperiencë e bëri të paharrueshme fëmijërinë e Julkës, dhe padyshim përcaktoi mënyrën e rritjes së saj. Sot është 24 vjeç, është diplomuar dhe punon si ekonomiste. Të gjithë ata që e njohin, e dinë se sa kërkuese është ndaj të drejtave të veta.

Një fije që e mban lidhur që nga fëmijëria, nga e cila ende s’është shkëputur edhe sot 14 vite më pas.

Top Channel