Kriza politike, LDK konsulton strukturat

18/11/2014 00:00

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka nisur një seri takimesh me të gjitha strukturat e partisë së tij, për të diskutuar për pozicionin që duhet të mbajë LDK në diskutimet e reja për formimin e institucioneve.

Të martën Mustafa ka takuar njëherë anëtarët e Kryesisë e pastaj edhe kryetarët e degëve të LDK-së, ndërsa pas këtyre konsultave, të mërkurën Këshilli i Përgjithshëm i partisë pritet të vendosë përfundimisht qëndrimin e LDK-së.

Nënkryetari Lutfi Haziri tha pas mbledhjes së Kryesisë se LDK është e vendosur në kërkesën që Isa Mustafa të bëhet kryeministër, meqenëse marrëveshja e 10 qershorit me partitë e Bllokut nuk u zbatua siç ishte parashikuar.

“E kemi thënë në fillim dhe e kemi konfirmuar se marrëveshja ose zbatohet në tërësi, ose është e pazbatueshme. Ne jemi të angazhuar seriozisht për t’u përballur me këtë situatë dhe organet e LDK-së përfundimisht do t’i japin të drejtë të plotë Kryesisë dhe kryetarit të saj, në mënyrë që të përfundojë ky proces politik, i cili nuk mund të zgjasë pa fund”, deklaroi Haziri.

Haziri ka thënë se LDK ende nuk ka biseduar për koalicion me PDK-në pasi sipas tij, aktualisht kanë një marrëveshje me Bllokun dhe po shohin të gjitha mundësitë për të gjetur një dalje nga situata e re.

E ndërsa LDK insiston që të marrë postin e kryeministrit në marrëveshje ne Bllokun, AAK-ja e Ramush Haradinajt nuk e mbështet një gjë të tillë.

Haradinaj të martën është takuar me ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Austrisë, por nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi ka deklaruar se takimet ishin të rregullta. Sipas Isufit, AAK nuk pranon që lideri i saj të tërhiqet nga kandidatura për kryeministër.

Top Channel