Komisioni i Ekonomisë rrëzon heqjen e akcizës për pijet energjike

18/11/2014 00:00

Deputetët e Komisionit të Ekonomisë votuan kundër propozimit të Qeverisë që heq akcizën mbi pijet energjike.

“Jemi kundër propozimit që ka ardhur nga Qeveria për heqjen e akcizës për pijet energjike. Mbetet për ditën e premte që ju të na ktheni përgjigje për kodet respektive që vitin e ardhshëm të mos kemi argument që të na referojë në evazion fiskal”, tha kryetari i Komisionit, Erjon Braçe.

Ndërsa ndryshimi i dytë ishte ai që e shtrin uljen e rentës minerare, jo vetëm për kromin që përpunohet në vend siç propozon Qeveria, por edhe mineralet e tjera te metalit.

“Bakri, zinku, nikeli, 1ë të gjitha minerale metalike që prodhohen në territorin e Shqipërisë ju jepet incentiva për t’u përpunuar brenda territorit shqiptar”, tha Braçe.

Pjesa tjetër e paketës u votua sipas variantit të propozuar nga Qeveria edhe pse për rritjen e Tatimit mbi të Ardhurat mes deputetëve pati debate të forta.

“Përveç se marrin pak interes, këta njerëz që depozitojnë para në bankë ne i vëmë edhe një tatim 15 për qind, dhe ku jemi ne?Pra është një diskutim tani ose ta marrim zë për zë dhe t’i rrimë parimit se kush fiton më shumë, paguan më shumë, ose ta lëmë sic është edhe votojmë”, tha deputeti Përparim Spahiu, deputet i LSI-së.

“Ky nen u votua, kalojmë te neni i rradhës”, tha Braçe.

Po kështu edhe interesat që familjet paguajnë për kreditë që kanë marrë për strehim nuk do të njihen si të zbritshme nga taksat. Edhe pse e pati propozuar vetë këtë lehtësim Qeveria u tërhoq.

“Ministria e Financave e ka shqyrtuar, por nga të dhënat që kemi marrë për kredi, por ishte e papërballueshme të përfshihej në këtë buxhet, për shkak të efektit”, tha Ervin Mete, zëvendësministër i Financave.

Paketa e re fiskale ndryshon 18 taksa, 15 prej të cilave në ulje. Por, në total barra fiskale për individët dhe biznesit nga kjo paketë rritet me 160 milionë dollarë në vit.

Top Channel