Me justifikimin se ishte disi i lodhur, Vladimir Putin është i pari lider botëror që largohet nga samiti i G20-s në Brisbejn, por duke e lavdëruar si “konstruktive” atmosferën e tij dhe duke thënë se grindjet e raportuara mes tij dhe liderëve të vendeve perëndimore janë ekzagjeruar nga media.
Presidenti rus, i cili është larguar nga Australia me avionin e tij rreth orës 14:00 me orën lokale, u tha reporterëve nga Rusia se ishte i pari që largohej, për shkak se i duhet të kthehet në Moskë për të punuar dhe se për këtë “i duheshin 4 apo 5 orë gjumë”.
Por, Putin ka mbetur sërish sfidues në lidhje me interesat e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se bllokada ekonomike e Kievit ndaj separatistëve në lindje ishte “një gabim i madh”, edhe pse “jo fatal”.
“Nuk e kuptoj se përse autoritetet e Kievit janë duke i ndarë ato territore me duart e tyre. Sigurisht, dikush mund të mendojë për të shpëtuar disa shpenzime, por ky nuk është momenti i duhur për të kursyer”, tha ai.
Liderët perëndimorë janë rreshtuar së bashku në samitin e G20-s, për të dënuar veprimet e Rusisë në Ukrainë, veçanërisht sa i përket mbështetjes dhe armatosjes së rebelëve separatistë, por edhe për bashkëpunimin e perceptuar të Rusisë në rrëzimin e fluturimit MH17 të “Malaysia Airlines”.
Në deklaratat e tij përmbyllëse, kryeministri australian Tony Abbott, tha për reporterët se kishte pasur një “diskutim të sinqertë dhe të fuqishëm” me Putinin gjatë samitit të APEC në Pekin, ndërkohë që ishte thuajse i sigurt që edhe disa liderë të tjerë kanë zhvilluar bisedime të ngjashme me liderin rus në samitin e G20-s.
“Padiskutim që kam shumë mospërputhje me qeverinë ruse”, tha Abbott. “Nuk bie dakord, madje jam krejtësisht i keqardhur, me atë që po ndodh në Ukrainën lindore. Kërkoj nga Rusia të bashkëpunojë bindshëm me hetimin kriminal për rrëzimin e MH17-s”.
Por, Abbott tha se Putin ishte i ftuari i Australisë në samitin e G20-s ndaj dhe u trajtua si mik. “Presidenti Putin ishte një i ftuar në vendin tonë, ndaj jam i gëzuar që e kemi trajtuar atë me respekt dhe mirësjellje gjatë kohës që qëndroi në Australi”.
Ndërkaq, kryeministri David Cameron tha se nuk beson ende që një front i një Lufte të re të Ftohtë po shpërthen, por ishte “i drejtpërdrejtë dhe i ashpër” në komentet e tij ndaj liderit rus, ndërsa kryeministri kanadez, Stephen Harper, tha se i kishte thënë Putinit drejtpërdrejtë “të largohet nga Ukraina”.
Por, Putin, nga ana e tij, tha se ka ende “një shans të madh zgjidhjeje” për konfliktin e Ukrainës, si dhe hodhi poshtë shqetësimet për rritjen e aktivitetit ushtarak në rajon. Ai tha se diskutimet mbi Ukrainën në samitin e G20-s ishin të sinqerta dhe informuese.
“Disa prej pikëpamjeve tona nuk përputhen, por diskutimet ishin të plota, konstruktive dhe shumë ndihmuese”.
Në intervistat e mëparshme, Presidenti rus tha se ai dëshiron “marrëdhënie normale me partnerët tanë, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe Europën”, edhe pse ata kanë kërcënuar për sanksione të mëtejshme.
Putin tha se largimi i tij kaq i hershëm nga samiti i Brisbejnit nuk kishte lidhje me tensionet e perceptuara me liderët e tjerë. Ai tha se kishte folur personalisht me kryeministrin australian, Tony Abbott, dhe i kishte shpjeguar se i duhej një fluturim 18-orësh për t’u kthyer në vendin e tij, e për të nisur punën ditën e hënë.
“Na duhet të fluturojmë për 9 orë drejt Vladivotoskut, e prej andej drejt Moskës për 9 orë të tjera”, u tha Putin reporterëve. “U takova me Tonyn dhe e informova për këtë, ndaj dhe ai më kuptoi. Nuk ka asnjë arsye tjetër”.
Top Channel