Merkel, rol kyç në krizën e Kosovës

14/11/2014 00:00

Liderët e subjekteve politike në Kosovë kanë zhvilluar një sërë takimesh të premten, për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë për krizën politike.

Në këtë proces, tanimë kanë ndërhyrë edhe diplomatë perëndimorë. I dërguari special i kancelares Angela Merkel për Evropën Juglindore, ish-ambasadori gjerman në Kosovë Ernst Reichel, ka zhvilluar takime kokë më kokë me liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Burime të Top Channel brenda partive në fjalë kanë bërë të ditur, se ai ka propozuar një bashkim të këtyre partive në koalicion, por zyrtarisht as partitë, e as ambasadori Reichel nuk kanë pranuar të komentojnë takimet.

Presidentja Atifete Jahjaga ka pasur takime të ndara me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën, ndërsa ka njoftuar se ka komunikuar përmes telefonit edhe me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

“Kam kërkuar nga të tre liderët, ashtu siç kërkoj edhe nga të gjithë liderët e tjerë partiakë, të tregojnë pjekuri politike dhe, duke lënë anash mospajtimet ndërmjet tyre dhe interesat e ngushta, të veprojnë shpejt për ndërtimin e institucioneve, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re”, thuhet në njoftimin e Presidentes Jahjaga në Facebook.

Presidentja kosovare ka thënë se liderët duhet të garantojnë, se me institucionet e reja do të përmbushin çdo detyrim ndaj qytetarëve dhe, gjithashtu, detyrimet ndaj bashkësisë ndërkombëtare, partneriteti me të cilët është jetik për vendin.

Gjatë ditës, dy partitë e bllokut LDK dhe AAK kanë zhvilluar takime me struktura partiake, ku ndër të tjera kanë folur edhe për riformulimin e marrëveshjes.

Në njërën anë, Isa Mustafa ka mbledhur Kryesinë dhe degët e LDK-së për të diskutuar për kërkesën, që ai të bëhet kandidat për kryeministër. Gjatë mëngjesit, në një status në Facebook, ai paralajmëroi ndryshime për të gjetur zgjidhjen, pasi sipas tij vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bëri të pamundur implementimin e marrëveshjes mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës, të datës 10 qershor 2014.

Por, duke folur nga Deçani, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në mesditë se nuk do të tërhiqet nga nominimi për kryeministër, duke e konsideruar kërkesën e LDK-së si kulminante.

“Është një kërkesë e LDK-së, që kuptohet se kanë shkuar në maksimum me kërkesën e tyre, për shkak se është hequr mundësia e kryeparlamentarit. Nuk e di se si do ta gjejmë zgjidhjen. Kam përkrahje nga komunitetet dhe, atyre që dëshirojnë ta pengojnë këtë kandidaturë, iu them se do të dalin humbës”, ka deklaruar Haradinaj.

Top Channel