
Në analizën e Partisë Demokratike, projektbuxheti për vitin e ardhshëm është shembull i qartë sesi një qeveri jo vetëm nuk mban premtimet e saj për shendetësi falas, legalizime falas e ulje taksash, por rrit varfërinë ekstreme në vend.
Duke sjellë dhe analizuar disa shifra të projektbuxhetit, ekspertët e Partisë Demokratike thonë se qeveria nuk rrit më pagat, nuk bën më investime, por rrit taksat për të mbuluar rritjen e shpenzimeve për vete.
“Ky është një buxhet vetëm për qeveritarët dhe nuk ofron asgjë për qytetarët. Investimet rriten zero, ndërsa buxheti i kryeministrit rritet me 30 për qind”, deklaroi Sherefedin Shehu.
“Ky buxhet jo vetëm shërbimet e investimet publike që i ul, por braktis mbrojtjen shoqërore të shtresave të ekspozuara ndaj rritjes së tarifave, pa harruar rritjen e çmimit të energjisë. Rreziku për të rënë në varfëri ekstreme vjen duke u thelluar dhe është evident në vitin 2015”, tha ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.
Sipas Partisë Demokratike, ky buxhet jo vetëm nuk jep shpresë për rritje ekonomike, siç pretendon qeveria, por ai kërcënon qytetarët me rënie ekonomike dhe reçesion.
Top Channel