Kushtetuesja mbështet dekretin e Jahjagës

13/11/2014 00:00

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka rrëzuar duke cilësuar si të papranueshme kërkesën e Avokatit të Popullit kundër dekretit të presidentes Jahjaga për zgjatjen e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Në kërkesën e tij, Avokati i Popullit pretendonte se dekreti i kryetares së shtetit ishte jokushtetues, por Gjykata në vendimin e saj argumenton se, dekreti në fjalë jo vetëm që përputhet me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me detyrimet ndërkombëtare të saj.

Trupa gjykuese, e përbërë nga 7 anëtarë, dy prej të cilëve të huaj, ka vlerësuar se dekreti i Jahjagës është në linjë me Marrëveshjen Ndërkombëtare të lidhur me Bashkimin Evropian e të ratifikuar më pas nga Parlamenti i Kosovës.

“Kërkesa e Avokatit të Popullit lidhet kryesisht me përmbajtjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare të lidhur me BE dhe ai sfidon kushtetueshmërinë e dekretit, por pa u mbështetur në argumente”, sqaron Kushtetuesja vendimin e saj.

Top Channel