Mbrojtja e kinemasë “Lumbardhi”

12/11/2014 00:00

Kërkesa që objekti i kinemasë “Lumbardhi”, në Prizren, të futet në listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme, ka marrë sinjal pozitiv nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

MKRS i është përgjigjur nismës për mbrojtjen e kinemasë “Lumbardhi”, duke siguruar që komisioni, i cili ka shqyrtuar kërkesën, e mbështet plotësisht atë.

Sipas asaj që shkruhet në përgjigjen zyrtare të MKRS, anëtarët e komisionit kanë kërkuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, që të bëjë verifikimin e gjendjes ekzistuese dhe regjistrimin e saj si ndërtesë të veçantë, në bazën e të dhënave të Trashëgimisë Kulturore, duke propozuar edhe masat teknike, që duhet të merren në lidhje me rehabilitimin e ndërtesës.

Nisma për mbrojtjen e kinemasë “Lumbardhi”, fillimisht nisi nga organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër, “Dokufest”, i cili edicionin e fundit e hapi me një protestë simbolike kundër propozimit të Komunës së Prizrenit, që ajo hapësirë të kthehet në parking, ose qendër tregtare.

Protestës së “Dokufest” në mbrojtje të kinemasë iu bashkangjit edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kinemaja “Lumbardhi” është e para në Prizren dhe e vetmja nën qiell të hapur.

Top Channel