Biznesi i bashkuar: Mos rrisni taksat

10/11/2014 00:00

Shoqatat e biznesit kanë kundërshtuar në bllok paketën e re fiskale. Të thirrur në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, drejtuesit e grupimeve kryesore të biznesit i kanë kërkuar qeverisë të tërhiqet nga rritja e taksave.

“Ju kërkojmë me forcë të mos prekni taksën mbi dividentin dhe taksën mbi tatimin në burim, pasi janë dy taksa kyç që ndikojnë drejtpërdrejt në investimet e huaja”, tha Genti Daci, Dhoma Amerikane e Tregtisë.

“Ju keni qenë prezent të gjithë, kur ne kemi luftuar bashkë me ju, ne si grupe interesi dhe ju si deputetë të opozitës në atë kohë, kur ish-qeveria rriti taksën e naftës me 7 lekë. Ndërkohë që tani, për dy vjet ju po na e rrisni taksën me 30 lekë”, tha Nikolin Jaka, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

“Për këto pijet energjike, nuk e di kujt i ka vajtur mendja që t’ua heqë akcizën, sepse shumë e çuditshme është bërë kjo punë. Po pse na e rritët vjet me 30 përqind akcizën e birrës, na keni shtuar edhe 20 lekë, ndërsa këtyre iua hiqni fare”, tha Luan Bregasi, president i “Biznes Albania”.

Në dy vitet e fundit, qeveria e ka rritur barrën e taksave me 380 milionë dollarë. Bizneset thonë se kjo politikë po dëmton ekonominë, ndërsa ankohen se edhe lehtësirat e premtuara për disa sektorë, si ai i fasonit, nuk janë përmbushur.

“Po të mbledhim tatimin e koorporatës dhe tatimin e dividentit, atëherë shkojmë në 30%, duke kaluar kështu Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, por ku do të shkojmë?”, reagoi Nikolin Jaka.

“Hë se ju keni bërë edhe premtime për 300 mijë vende pune. Vendet e punës krijohen kur i lini më shumë parà xhepave të sipërmarrësve, se sa kur merrni më shumë parà për buxhetin e shtetit”, tha më tej Luan Bregasi.

“Rimbursimi i TVSH-së është bërë deri në masën 50 përqind. Ndërsa taksat dhe tarifat vendore kanë qenë një tjetër pikë e rëndësishme e paketës së fasonit, e cila tashmë jo vetëm që nuk është realizuar, por është rritur me disa herë në të gjitha rrethet përkatëse”, tha Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës Kombëtare të Fasonistëve.

Bizneset kanë bërë një listë të gjatë me propozime për paketën e re fiskale, si për lehtësira në sektorë të veçantë, ashtu dhe ndërhyrje për të përmirësuar procedurat.

Top Channel