Qeveria: Presidenti mban peng ligjin e cigareve

07/11/2014 00:00

Maxhoranca akuzoi Presidentin se po zvarrit dekretimin e ligjit që
kufizon importin e cigareve para hyrjes në fuqi të rritjes së akcizave.

Deputeti socialist Ervin Koçi pretendon se shtyrja është e qëllimshme dhe ka nga pas interesa të ngushta ekonomike.

“Edhe pse ligji ishte me procedurë të përshpejtuar ende nuk ka hyrë në fuqi, pasi Presidenti edhe pse ka dhënë pëlqim paraprak, nuk e ka dekretuar atë, duke sjellë rritje të importit të cigareve në muajt e fundit. Por, vazhdon kjo edhe për ditët e para të nëntorit, duke sjellë fitime abuzive të bizneseve dhe humbje për buxhetin e shtetit dhe të individit. Për të qenë të ndershëm me taksapaguesit, Qeveria duhet të gjejë zgjidhje ligjore për të minimizuar këtë abuzim, e cila mesa duket po bëhet me qëllim të caktuar, për përfitimin e një grupi të caktuar”, tha Koçi.

Në 23 tetor, kur miratoi rritjen e akcizës për cigaret me 20 lekë për paketë, parlamenti vendosi dhe një kusht që kufizonte importin e tyre me jo më shumë se 5 për qind nga mesatarja mujore e vitit të kaluar derisa akciza e re të hynte në fuqi në 1 janar 2015. Kufizimi kishte për qëllim që të mos lejonte tregtarët të spekullonin duke importuar sasira të mëdha për t’i shitur pastaj me taksën e rritur.

Por drafti, sipas maxhorancës po mbahet pezull nga presidenti duke mos hyrë në fuqi. Kjo ka bërë që importet e cigareve gjatë këtij muaji të kërcejnë në rekorde historike. Sipas të dhënave zyrtare nga doganat në tetor, tregtarët importuan 518 tonë cigare, ose 68 për qind më shumë se mesatarja mujore e vitit të kaluar nga 5 për qind që është kufizimi. Sasitë shtesë, të cilat taksohen me nivelin aktual të akcizës me gjasa do të shiten në treg me çmim të rritur vitin e ardhshëm duke bërë që tregtarët të përfitojnë në dëm të konsumatorëve dhe buxhetit miliona euro.

Top Channel