PD: Paketa fiskale i ka të gjitha të këqijat

07/11/2014 00:00

Sipas ekspertëve të Partisë Demokratike, paketa e re fiskale e prezantuar nga qeveria i ka të gjitha të këqijat me “shumë”, shumë taksa të reja, shumë ngarkese fiskale për qytetarët, shumë klientelizëm për miqtë e qeverisë, shumë varfërim për vendin.

“Vetëm në formën e taksave të reja do të vijnë në buxhet 160 milionë dollarë, që do të paguhen nga tatimpaguesit shqiptarë, qofshin individët apo koorporatat”, deklaron Florion Mima.

“Të gjitha taksat e parashikuara për rritje janë taksa mbi konsumin, taksa të fshehta që i paguan çdo qytetar në çmimin e mallit, shërbimit apo produkteve që do të blejnë në treg duke nisur nga karburanti, etj”, thotë ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Ish-drejtuesit kryesorë të financave shqiptare bënë krahasim me çfarë ritmesh po rritet akciza për cigaret dhe karburantin.

“‎Në 8 vite qeveria e PD e rriti akcizën e cigareve vetëm me 30 lekë. Në 1 vit kemi 44 lekë. Nëse kur ne reformuam taksimin e makinave prezantuam një taksë prej 7 lekë për litër brenda çmimit të karburantit, në 1 vit kemi dy rritje me plot 24 lekë për litër”, nënvizon Mima.

“Dhe po të kemi parasysh efektin zinxhir të kostove të rritura mbi biznesin, do të implementohet si një rritjë e çmieve në tërësi në treg dhe një rritje e kontributeve të qytetarëve”, vijon Bode.

Janë vetëm dy zëra që u hiqen tarifat doganore: mielli i importuar dhe karburanti bruto. Në të dyja rastet opozita sheh klientelizëm qeveritar.

“Dhe era naftë nuk vjen vetëm pse qeveria rrit çmimin e naftës për konsumatorët me 120 lekë të reja këtë vit, por sepse politika për të hequr taksën e importit, taksën doganore për naftën bruto, mban era klientelizëm”, thotë Bode.

“Një tjetër ulje takse doganore nga 10 në zero ka të bëjë me miellin e importuar, që do të godasë industrinë vendase, që për hir të së vërtetësh është moderne dhe e investuar. Ky ndryshim do të favorizojë importet nga zona në Ballkan ose Evropë, kryesisht në Serbi dhe Rusi, dhe kjo do të jetë një goditje e fortë për prodhimin vendas”, saktëson më tej Mima.

Sipas Partisë Demokratike, ngarkesa e qytetarëve me taksa të reja dhe të rritura është mbytëse për mirëqënien e tyre.

“460 milionë dollarë do paguhen shtesë taksash, taksa më shumë nga sa janë paguar në 2014, ndërkohë që vlera e PBB-së është 800 milionë. Çka do të thotë se qytetarët dhe biznesi duhet të punojnë për prodhimin shtesë 7 muaj për qeverinë dhe 5 muaj për veten”, shton ish-ministri i Financave.

Top Channel