Rama i përgjigjet opozitës: S’ndalemi me reformat!

06/11/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj në rrjetet sociale akuzave të opozitës
përsa i përket çmimit të energjisë elektrike dhe aksionit të ndërmarrë
nga Operatori i Shpërndarjes në bashkëpunim me policinë kundër vjedhjes
së energjisë.

“E kyçën Shqipërinë në shpellën e hajdutërisë së energjisë dhe duan t’i qajnë hallin tani që shpella po shembet e qeveria po lufton hajdutët”, shkruan fillimisht Rama.

Më tej Kryeministri tërthorazi i përgjigjet edhe paralajmërimit të opozitës për protesta kundër asaj që e quan rritje të çmimit të energjisë.

“Asnjë kthim pas! Asnjë lëshim për hajdutët e dritave,vendi ndriçohet me reforma që çlirojnë energji transformuese, jo me pallavra e gënjeshtra”, shprehet Rama.

Ndërsa Ministria e Energjitikës ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp, ku shprehet se qeveria e kaluar mendoi vetëm si të zgjaste vitet e qëndrimit në pushtet, duke e zhytur sektorin e energjitikës në një gropë çdo vit e më të thellë.

“Padrejtësia e bërë deri më sot, ku disa paguanin edhe për ata që nuk paguanin ka marrë fund. Çdo konsumator do të paguajë energjinë që konsumon dhe kush guxon të ndërhyjë në mënyrë të paligjshme do të përballet me shtetin ligjor”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Energjitikës. 

Top Channel