PD: Jo rritjes së çmimit të energjisë

06/11/2014 00:00

Për Partinë Demokratike, rritja e çmimit të energjisë do të përkeqësojë
ekonominë e vendit dhe do të thellojë varfërinë, duke cënuar
buxhetin familjar për të paktën 76 për qind të shqiptarëve.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të hequr vëmendjen nga këto pasoja, që ai i quan dramatike për qytetarët, Qeveria po fsheh dështimin e saj pas aksioneve të policisë.

“Sepse kështu, sipas kryeministrit, do të maskohet premtimi elektoral se çmimi i energjisë do të ulet. Pse kryeministri nuk e tregon çmimin? Pse ka frikë të përballet me qytetarët? Si do ta paguajnë çmimin e rritur të energjisë, çmimin e ujit që po kështu paralajmërohet se do të rritet, rritjen tërësore të çmimeve, kur nuk është hapur asnjë vend pune? Rritja e çmimit të enegjisë është çmimi i dështimit të Qeverisë që u faturohet me lehtësinë më të madhe qytetarëve”, tha Basha.

Sipas opozitës, është plotësisht e mundur që Qeveria të mos e rrisë çmimin e energjisë, pa cënuar furnizimin me energji të qytetarëve.

“Qëndrimi ynë është kërkesa ndaj qeverisë që të mos rrisë në asnjë mënyrë çmimin e energjisë, por të marrë masa drastike për miradministrimin e kompanisë së shpërndarjes të energjisë elektrike, uljen e humbjeve dhe kryerjen me emergjencë të investimeve të duhura në këtë sektor. Qeveria të përmbushë detyrimet e saj përpara se të kërkojë sakrifica nga qytetarët”, tha Basha.

Partia Demokratike ka edhe një kërkesë tjetër konkrete: “Kërkojmë sot amnistimin e faturave abuzive të vendosura nga CEZ ndaj të gjitha familjeve shqiptare. E mbani mend fushatën elektorale, kur Rama bënte thirrje të mos paguheshin gjobat dhe faturat e kripura, se si shkonte derë me derë e me demek u qante hallin të varfërve, të cilëve sot iu çon policinë për mëkatët ku i ka shtyrë vetë ai”, tha Basha.

Për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike Partia Demokratike do të mbështesë çdo protestë qytetare, duke nisur që më 22 nëntor, kur do të bashkohet me protestën e sindikatave.

“Do protestojmë në mënyrë që të parandalojmë goditjen e familjeve të qytetarëve në rëndimin e ekonomisë që po i bën kjo qeveri”, deklaroi Gëzim Kalaja, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura.

“E keqja është se këta as nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën. Prandaj roli ynë është t’i nxjerrim nga shurdhëria e tyre dhe zërin ta ngremë sa më fortë. Në të tilla raste protesta është rruga e vetme”, tha nga ana e tij Basha.

“Kush do ta nxjerre vendin nga kriza? Shoqëria civile, sindikatat, forcat politike, qytetarët, të gjithë së bashku duhet të dalin nga kjo gjendje. S’mund të tolerohet më tutje, situata është emergjencë kombëtare”, tha ish-kryeministri Sali Berisha.

Ky organizim do të zbresë sërish në bazë kryetarin e PD, Basha, për të kërkuar praninë e qytetarëve në protestën kundër rritjes së çmimit të energjisë.

“Besoj në ndërgjegjësimin e çdo shqiptari, siç po ndërgjegjësohen tani, se rruga e vetme për t’u përballur me qeverinë që nuk dëgjon e nuk sheh është rruga e protestës. Se rruga e vetme për të vënë para përgjegjësisë ata që marrin pushtetin e që mendojnë se në 4 vjet mund të bëjnë ç’të duan është t’u kujtojmë se hipja është e vështirë, por zbritja fare e kollajtë”, shtoi Basha në fjalën e tij.

Top Channel