Jacobson, akuza të forta lidershipit politik

06/11/2014 00:00

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson u ka bërë thirrje partive politike që të pranojnë ftesën e presidentes Atifete Jahjaga per bisedime.

Gjatë një debati, diplomatja amerikane ka shfaqur shenja se i ka humbur durimi me krizën që po vazhdon, duke treguar madje se dhe ndërkombëtarët po e humbin interesin e janë të lodhur me situatën e bllokimit.

“Askush nuk do të marrë të gjitha çfarë dëshiron. Gjithkujt do t’i duhet të japë diçka. Por kjo nuk do të zgjidhet pa komunikim mes partive. Kemi VLAN-in që dëshiron ta formojë qeverinë, kemi PDK-në që do postin e kryetarit të Kuvendit dhe mandatin e parë. Nuk është aspak frytdhënës fakti që ata nuk flasin me njëri-tjetrin, ndaj i inkurajoj të gjithë që të pranojnë ftesën nga presidentja, të ulen të bisedojnë që të ketë perparim”, ka deklaruar Jacobson.

Ambasadorja amerikane po ashtu është kundër protestave si mënyrë rrugëdaljeje nga kriza. “Nuk e di se si do të funksionojë kjo marrëveshje, por që të nxjerrësh njerëz në rrugë për shkak se ajo nuk po funksionon është vetëm një akrobaci politike dhe nuk na çon asgjëkundi”, ka theksuar Jacobson.

Përsa i përket korrupsionit Jacobson i fajëson të gjithë. “Dëgjojmë politikanët tanë që ia bëjnë me gisht njëri-tjetrit se ky është i korruptuar, mendoj se ka dëshmi të mjaftueshme që ka korrupsion në tërë spektrin politik, por ka edhe njerëz të tjerë që janë të përfshirë në aktivitete korruptive. Pra, nuk mund të fajësosh një parti të vetme për këtë. Le të shohim për shembull anëtarët e bllokut. Është kreu i Nismës që besoj se ka dy procese gjyqësore në vazhdim për korrupsion. Vetëvendosje ka hapur 70 raste për korrupsion kundër LDK në komunën e Prishtinës. Di po ashtu që zyrtarë të lartë të AAK-së janë dënuar për haraç. Pra ka kohë që vazhdon kjo gjë dhe s’mund t’ia vësh fajin vetëm një partie apo një personi”, ka thënë Jacobson.

Dhe në fund, ambasadorja amerikane ka dhënë edhe një mesazh të qartë për liderët kosovarë që po e mbajnë të bllokuar shtetin që prej 5 muajsh pas zgjedhjeve.

“Mesazhi im për politikanët është shumë i qartë, mund ta them edhe në shqip: mos e dhi punën”, ka shtuar Jacobson. Ambasadorja amerikane po ashtu ka qenë shumë e prerë kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke thënë se ato nuk japin zgjidhje të shpejtë.

Top Channel