Thaçi kërcënon me zgjedhje: S’ka qeveri pa PDK-në

05/11/2014 00:00

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me qëndrim të ri për krizën politike në vend. Këshilli Drejtues i PDK-së është pajtuar unanimisht që nëse për një kohë të shkurtër partitë e Bllokut nuk reflektojnë për të komunikuar me partinë fituese të zgjedhjeve, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pas diskutimeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues, lidershipi i PDK-së ka thënë se qeveria e re e  Kosovës nuk mund të krijohet pa Partinë Demokratike si udhëheqëse të saj.

“Nëse nuk ka gatishmëri për marrëveshje atëherë rrugë të mesme nuk ka, shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pozicionimi nga udhëheqësit e tjerë, të ngurta, i ftoj që të rrisim mobilizimin e strukturave, të rritet aktiviteti në terren dhe të rifuqizoni shtabet zgjedhore”, deklaroi Hashim Thaçi.

Pas liderit të PDK-së, nënkryetarët e tij, që kanë qenë edhe hartues të Kushtetutës së Kosovës, justifikuan qëndrimin e partisë së tyre për pjesëmarrje të domosdoshme në qeverisje.

Ndërsa nënkryetari tjetër Hajredin Kuçi i ka ftuar liderët e bllokut që, nëse kanë besim se mund të fitojnë zgjedhjet, të bëhen të gjithë së bashku në një listë dhe të garojnë përballë PDK-së.

“Ajo që nuk e fituan më 8 qershor nuk mund të ndryshohet më 9 qershor. Mund të ndryshohet vetëm me zgjedhje të tjera. Unë e them shumë hapur; ne nuk kemi ardhur në pushtet se janë mbledhur 3-4 burra dhe kanë vendosur të vendosin PDK në pushtet, por kemi fituar zgjedhjet. Por edhe në opozitë nuk shkojmë sepse sot janë mbledhur 3-4 burra dhe duan të na çojnë atje. Ne kemi marrë pushtetin me votë dhe e lëshojmë me votë”, deklaroi Hajredin Kuçi.

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së është diskutuar edhe për paralajmërimet se ndokush mund të thërrasë protesta për shkak bllokadës institucionale, por nënkryetari i PDK-së Kadri Veseli ka thënë se ata që thërrasin në këtë kohë demonstrata nuk i duan të mirën Kosovës.

Top Channel