Falet kamata për të vetëpunësuarit në fshat

05/11/2014 00:00

Këshilli i Ministrave do t’i çojë Parlamentit një projektligj, i cili fal kamatëvonesat dhe gjobat për 290 mijë persona banues në fshat, për pensionet dhe vitet e sigurimeve shoqërore të papaguara.

Detajet e asaj se çfarë synon qeveria përmes këtij projektligji i bëri publike ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj.

“Dua t’u bëj me dije që kjo është amnistia e fundit, duke qenë se në datën 1 janar futet një ligj i ri dhe nuk do të ketë më amnisti, por formula e re do të zbatohet me korrektesë.

Për të kuptuar se për çfarë detyrimesh po flasim, dua t’u bëj me dije se nga viti 1994 deri në vitin 2001, për të siguruar një vit për efekt pensioni në fshat, pagesa ka qenë vetëm 15 dollarë.

Kjo do të thotë që për të paguar sigurimet shoqërore të viteve 1994-2001, në total, duhen paguar vetëm 120 dollarë për të siguruar rreth 8 vite pension. Çfarë dua të them me këtë.

Nëse ka qytetarë shqiptarë nga këta 290 mijë, të deklaruar të vetëpunësuar, që kanë nevojë të mbushin detyrime të papaguara, boshllëqe që kanë lënë në vitet kur nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për arsye të emigracionit ose për arsye të sipërmarrjes së tyre në fshat, ky është një moment ideal”, deklaroi Veliaj.

Afati është data 31 dhjetor, tha më tej ministri për të paguar pa kamatë, pa gjobë dhe me kosto shumë të ulët të gjitha vitet e pensionit, ose boshllëqet e pasiguruara, si e vetmja mënyrë për të patur një pension dinjitoz, sa dhe pensioni i qytetit me formulën e re, duke filluar nga viti tjetër.

Top Channel